Nga Redaksia – Një faqe shqiptare konsulence u drejtohet hapur investitorëve izraelitë: “Investo në Shqipëri”
Një material i publikuar në faqen Albania Ekonomist tërheq vëmendjen për mënyrën se si Shqipëria po prezantohet konkretisht te investitorët izraelitë si një treg me mundësi të konsiderueshme investimi.
Artikulli mban titullin “Investo në Shqipëri si Izraelit — Udhëzues i Plotë” dhe e përshkruan Shqipërinë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për kapitalin izraelit.
Sipas materialit, interesi lidhet veçanërisht me pasuritë e paluajtshme, turizmin, bujqësinë dhe teknologjinë.
Por një pjesë e veçantë e artikullit është ajo që lidhet me territorin shqiptar dhe konkretisht me bregdetin.
Vlora, Saranda dhe Durrësi përmenden drejtpërdrejt
Në seksionin për pasuritë e paluajtshme, faqja rendit konkretisht Vlorën, Sarandën dhe Durrësin si zona ku investitorët izraelitë janë të interesuar për prona.
Materiali përmend gjithashtu apartamentet në Tiranë dhe pronat komerciale, duke argumentuar se tregu shqiptar ofron çmime dukshëm më të ulëta krahasuar me Izraelin.
Madje, faqja shkon edhe më tej duke deklaruar se çmimet e pronave në Shqipëri janë 5–10 herë më të ulëta se në Izrael.
Kjo e bën Shqipërinë, sipas këtij materiali, një treg veçanërisht interesant për kapitalin e huaj.
Turizmi dhe bregdeti shqiptar
Një tjetër sektor i evidentuar është turizmi.
Faqja promovon investimet në hotele, resorte bregdetare, turizëm aventure dhe ekoturizëm, duke e paraqitur Shqipërinë si një treg me potencial të madh për investitorët izraelitë.
Këtu lind edhe pyetja që duhet të shqetësojë opinionin publik shqiptar:
Kush po investon në bregdetin shqiptar, çfarë po blihet dhe për çfarë qëllimi po blihet?
Sepse kur një treg i tërë promovohet te investitorët e huaj pikërisht për çmimet e ulëta të pronave dhe potencialin e rritjes së tyre, çështja nuk është më vetëm ekonomike.
Ajo lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e territorit shqiptar.
Nga pasuritë e paluajtshme te toka bujqësore
Materiali nuk ndalet te apartamentet, hotelet apo resortet.
Një tjetër sektor i propozuar është AgriTech, ku përmenden sistemet e avancuara të ujitjes, teknologjitë e serave, bujqësia precize dhe përpunimi i produkteve bujqësore për eksport.
Në artikull thuhet se Shqipëria ka tokë bujqësore që ka nevojë për modernizim, ndërsa përvoja dhe teknologjia izraelite paraqiten si një mundësi për zhvillimin e këtij sektori.
Pra, nga bregdeti te toka bujqësore, nga turizmi te teknologjia, panorama që paraqitet është ajo e një tregu shqiptar të hapur për kapitalin izraelit në disa sektorë strategjikë.
Një Shqipëri “e favorshme” për investitorët e huaj
Faqja rendit edhe disa avantazhe që, sipas saj, Shqipëria u ofron investitorëve izraelitë:
- 100% pronësi të huaj;
- hapje biznesi në 1–3 ditë pune;
- mundësi për riatdhesimin e fitimeve;
- mungesë vize për shtetasit izraelitë;
- klimë mesdhetare;
- perspektivën e integrimit në Bashkimin Europian.
Në fund, materiali nuk është thjesht një analizë ekonomike. Faqja u bën investitorëve izraelitë një ftesë konkrete për të kontaktuar studion dhe për të marrë konsultë falas për investimin në Shqipëri.
Pyetja që duhet bërë
Shqipëria ka nevojë për investime të huaja. Kjo është e padiskutueshme.
Por pyetja që duhet bërë është:
Çfarë po i ofrohet kapitalit të huaj dhe çfarë po mbetet për shqiptarët?
Kur një faqe konsulence u tregon hapur investitorëve izraelitë se ku të kërkojnë prona, duke përmendur konkretisht Vlorën, Sarandën dhe Durrësin, ndërsa njëkohësisht promovon turizmin, tokën bujqësore dhe pasuritë e paluajtshme shqiptare, kjo duhet të jetë objekt i vëmendjes publike.
Jo për shkak të origjinës së investitorëve.
Por sepse bëhet fjalë për territorin, pronën dhe pasuritë strategjike të Shqipërisë.
Dhe pyetja themelore mbetet:
A po ndërtojmë një ekonomi shqiptare që tërheq investime të huaja, apo një ekonomi ku pasuritë më të çmuara të vendit po bëhen gjithnjë e më të aksesueshme për kapitalin e huaj?
Dokumenti i publikuar nga Albania Ekonomist është aty. Tani duhet parë me kujdes se çfarë po ndodh realisht në terren.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

