ANALIZA/Trump dhe perandoria e biznesit: Si po kthehet Shtëpia e Bardhë në një qendër të interesave financiare të familjes presidenciale?

Nga Redaksia – Nga Kimberly Guilfoyle te Jared Kushner, nga kriptomonedhat te miliardat e vendeve të Gjirit Persik – një analizë mbi kufirin gjithnjë e më të paqartë mes pushtetit politik, diplomacisë dhe biznesit privat të familjes Trump.

Donald Trump erdhi në pushtet me një premtim që u bë simbol i fushatës së tij: “Drain the Swamp” – të thanim kënetën e korrupsionit në Uashington.

Ai iu drejtua miliona amerikanëve që ishin lodhur nga politikanët e privilegjuar, elitat financiare dhe një sistem ku pushteti përdorej për interesat e një pakice.

Por sot, pikërisht ky premtim po kthehet në një nga kontradiktat më të mëdha të presidencës së tij.

Një analizë e bazuar në raportimet e mediave ndërkombëtare, përfshirë Wall Street Journal, Reuters, Financial Times dhe New York Times, paraqet një panoramë shqetësuese: familja Trump, njerëzit e saj më të afërt dhe partnerët e biznesit po shfaqen në një rrjet marrëdhëniesh ku ndërthuren investimet miliardere, kriptomonedhat, fondet sovrane, postet diplomatike dhe negociatat ndërkombëtare.

Pyetja që lind nuk është thjesht sa para ka fituar Donald Trump gjatë presidencës, por nëse afërsia me pushtetin amerikan është kthyer në një aset financiar që mund të blihet nga individë dhe interesa të huaja.

Kimberly Guilfoyle: Kur një post diplomatik përzihet me interesat private

Rasti i Kimberly Guilfoyle është një nga episodet që ilustron më qartë këtë problem.

Ish-komentatorja e Fox News dhe ish-e fejuara e Donald Trump Jr. u emërua ambasadore amerikane në Greqi. Sipas mesazheve dhe emaileve që Wall Street Journal thotë se ka siguruar, më 3 korrik 2025 ajo i kërkoi biznesmenit dhe donatorit republikan Eric Deters të paguante një faturë prej 100 mijë dollarësh të kartës së saj American Express.

Komunikimi, sipas raportimit, u zhvillua përmes aplikacionit të koduar Signal. Në këmbim, Deters shpresonte të merrte ndihmë nga administrata amerikane për një konflikt me autoritetet tatimore.

Guilfoyle ndërhyri duke i dërguar kreut të atëhershëm të administratës tatimore, Billy Long, një letër lidhur me çështjen e biznesmenit.

Pagesa nuk u krye, ndërsa avokati i Guilfoyle ka kundërshtuar autenticitetin e mesazheve.

Sipas kronologjisë së materialit të publikuar, më 13 tetor 2026 ajo dha dorëheqjen pas presionit nga Shtëpia e Bardhë.

Ky episod ngre një pyetje thelbësore: ku përfundon marrëdhënia personale dhe ku fillon përgjegjësia publike e një përfaqësuesi diplomatik amerikan?

Kriptomonedhat: Biznesi miliarder që u hap dyert interesave të huaja

Një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për familjen Trump është bërë industria e kriptomonedhave.

Në vitin 2024, gjatë fushatës presidenciale, familja Trump krijoi kompaninë World Liberty Financial, ndërsa pak ditë përpara inaugurimit të presidentit u promovua edhe monedha dixhitale $TRUMP.

Sipas vlerësimeve të Reuters të cituara në material, familja Trump ka përfituar rreth 2.3 miliardë dollarë nga aktivitetet në këtë sektor.

Por çështja bëhet edhe më interesante kur shikohen investitorët.

Më 16 janar 2025, katër ditë përpara inaugurimit presidencial, Eric Trump nënshkroi një marrëveshje sipas së cilës një kompani nga Abu Dhabi do të merrte 49 për qind të World Liberty Financial.

Sipas Wall Street Journal, pas këtij investimi qëndronte sheiku Tahnoon bin Zayed, këshilltar i sigurisë kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vëllai i presidentit të vendit.

Vetëm disa muaj më vonë, Emiratet arritën një marrëveshje paraprake me administratën amerikane për importimin e deri në 500 mijë çipave të avancuar të inteligjencës artificiale në vit.

Këtu shfaqet një konflikt potencial interesash që kërkon vëmendje të veçantë: një investitor me lidhje të drejtpërdrejta me familjen presidenciale ka interesa të mëdha financiare, ndërkohë që shteti i tij negocion marrëveshje strategjike me qeverinë amerikane.

Shtëpia e Bardhë dhe World Liberty kanë mohuar çdo ndikim të investimit mbi vendimmarrjen politike.

Megjithatë, pikërisht transparenca dhe ndarja e interesave private nga vendimet shtetërore janë ato që duhet të garantohen në një demokraci.

Jared Kushner: Diplomacia amerikane dhe miliardat nga Arabia Saudite

Nëse World Liberty Financial përfaqëson njërën anë të këtij rrjeti financiar, Jared Kushner është një tjetër figurë qendrore.

Dhëndri i Donald Trump, i cili nuk mban një post të zgjedhur dhe nuk merr pagë si zyrtar qeveritar, është rikthyer në skenën diplomatike amerikane si i dërguar special, duke u përfshirë në çështje të rëndësishme si Gaza, Ukraina dhe Irani.

Paralelisht, ai drejton kompaninë e investimeve Affinity Partners.

Pas përfundimit të mandatit të parë të Trump, Kushner krijoi këtë kompani dhe siguroi një pjesë të madhe të kapitalit nga vendet e Gjirit Persik.

Fondi sovran i Arabisë Saudite investoi rreth 2 miliardë dollarë, pavarësisht rezervave të komitetit të tij të kontrollit, i cili kishte ngritur pikëpyetje mbi përvojën e Kushnerit në menaxhimin e investimeve.

Më pas, në kompani investuan edhe Katari dhe Abu Dhabi.

Kjo krijon një situatë të pazakontë: një person që negocion në emër të Shteteve të Bashkuara për çështje ndërkombëtare ka njëkohësisht interesa të konsiderueshme financiare me investitorë nga vende që janë pjesë e zhvillimeve gjeopolitike.

Rasti bëhet edhe më delikat kur shikohet marrëveshja për blerjen e kompanisë së videolojërave Electronic Arts në vitin 2025, ku Affinity Partners u përfshi së bashku me investitorë sauditë.

Nuk është provuar se diplomacia e tij është përdorur për të favorizuar investimet private. Por përplasja e mundshme mes interesit publik dhe atij privat është një çështje që kërkon mbikëqyrje institucionale.

Shqipëria në hartën e interesave të familjes Trump

Për Shqipërinë, kjo histori ka një rëndësi të veçantë.

Në qendër të vëmendjes është projekti i resortit luksoz në ishullin e Sazanit, ku janë përfshirë Jared Kushner dhe Ivanka Trump, përmes interesave të tyre të biznesit dhe investitorëve ndërkombëtarë.

Ky projekt nuk mund të shihet i shkëputur nga marrëdhëniet ekonomike dhe politike që familja Trump ka ndërtuar me investitorë të fuqishëm ndërkombëtarë.

Kur në një vend të vogël si Shqipëria shfaqet një projekt gjigant i lidhur me familjen e presidentit amerikan, lind natyrshëm pyetja se çfarë peshe kanë këto marrëdhënie në raportet mes Tiranës dhe Uashingtonit.

A kemi të bëjmë thjesht me një investim privat, apo me një projekt që përfiton edhe nga pesha politike dhe diplomatike e emrit Trump?

Kjo është një çështje që meriton transparencë të plotë.

Në materialin e cituar përmendet gjithashtu edhe një marrëveshje e mundshme për asetet ndërkombëtare të kompanisë ruse të naftës Lukoil, ku në grupin e interesuar për investimin shfaqen sërish emra të lidhur me rrjetin financiar të Trump, përfshirë investitorë nga Gjiri Persik dhe një familje nga Katari e lidhur me projektin luksoz në Shqipëri.

Kështu, Sazani nuk është thjesht një çështje e zhvillimit turistik shqiptar. Ai bëhet pjesë e një panorame më të gjerë të interesave ndërkombëtare të kapitalit dhe politikës.

Charles Kushner, ambasador në Paris, pavarësisht së kaluarës penale

Një tjetër shembull është Charles Kushner, babai i Jared Kushnerit.

Trump e emëroi ambasador të Shteteve të Bashkuara në Francë, një nga postet diplomatike më prestigjioze amerikane.

Por Charles Kushner ka një të kaluar të rëndë ligjore. Në vitin 2004 ai u deklarua fajtor për 18 akuza, përfshirë evazion fiskal dhe ndikim mbi dëshmitarët.

Në një prej episodeve më të rënda, ai organizoi një kurth seksual ndaj kunatit të tij, i cili bashkëpunonte me hetuesit, duke filmuar takimin dhe duke ia dërguar videon motrës së vet.

Donald Trump e fali atë në dhjetor 2020.

Tre vjet më vonë, Charles Kushner dhuroi një milion dollarë për organizimin elektoral të Trump.

Sot, ai përfaqëson Shtetet e Bashkuara në Paris.

Ky emërim rikthen debatin mbi kriteret e përzgjedhjes së ambasadorëve amerikanë dhe rëndësinë që kanë besnikëria personale dhe marrëdhëniet politike në administratën Trump.

Donald Trump Jr. dhe Eric Trump: Biznesi familjar përfiton nga presidenca

Edhe dy djemtë e presidentit janë bërë pjesë e një rrjeti të gjerë investimesh.

Sipas Financial Times, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump kanë zhvilluar të paktën 18 takime me zyrtarë të huaj që nga janari 2025.

Takimet kanë ndodhur shpesh në kuadër të aktiviteteve të biznesit të tyre.

Një shembull është Vietnami, ku Eric Trump mori pjesë në ceremoninë e nisjes së ndërtimit të një resorti golfi me emrin Trump. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri vietnamez Pham Minh Chinh.

Kjo ndodhi vetëm shtatë javë pasi Uashingtoni kishte kërcënuar Vietnamin me tarifa doganore prej 46 për qind.

Ndërkohë, Donald Trump Jr. është partner në kompaninë e investimeve 1789 Capital.

Në gusht 2025, kjo kompani investoi në prodhuesin e magnetëve Vulcan Elements. Tre muaj më vonë, kompania mori një kredi prej 620 milionë dollarësh nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Këtu lind një tjetër pikëpyetje: si mund të garantohet ndarja e biznesit privat të familjes presidenciale nga vendimet ekonomike të administratës që drejton babai i tyre?

Përfaqësuesit e kompanive kanë mohuar se djemtë e Trump ndikojnë në vendimet qeveritare.

Por rritja e pasurisë së tyre, veçanërisht përmes kompanive të kriptomonedhave, tregon se presidenca ka krijuar një terren jashtëzakonisht fitimprurës për bizneset familjare.

Donald Trump dhe tregu i aksesit në pushtet

Një tjetër element i kësaj historie është mënyra se si individë të pasur mund të sigurojnë akses të privilegjuar te presidenti amerikan.

Në maj 2025, Trump organizoi një darkë ekskluzive në klubin e tij të golfit në Virxhinia për 220 blerësit më të mëdhenj të monedhës dixhitale $TRUMP.

Sipas Reuters, pjesëmarrësit kishin investuar rreth 148 milionë dollarë në këtë kriptomonedhë për të siguruar vendet e tyre në aktivitet.

Një prej pjesëmarrësve të njohur ishte miliarderi Justin Sun, ndaj të cilit autoritetet amerikane kishin ngritur më parë padi për shkelje të ligjeve të tregut financiar.

Më pas, procedimi përfundoi me një marrëveshje ku kompania e tij pranoi të paguante 10 milionë dollarë, pa pranuar fajësinë.

Ndërkohë, Donald Trump Jr. dhe djemtë e të dërguarit special Steve Witkoff kanë krijuar edhe një klub privat në Uashington, Executive Branch.

Sipas raportimeve, anëtarësimi themelues kushtonte 500 mijë dollarë.

Në këtë mënyrë, afërsia me njerëzit e pushtetit amerikan po shndërrohet në një privilegj që ka një çmim shumë të lartë.

Avioni luksoz nga Katari dhe pikëpyetjet kushtetuese

Një nga episodet më të diskutuara është edhe avioni luksoz Boeing 747 që Katari ia vuri në dispozicion qeverisë amerikane.

Avioni, sipas materialit, u përdor nga Trump si Air Force One duke filluar nga korriku 2026.

Çështja nuk lidhet vetëm me vlerën e jashtëzakonshme të avionit, por edhe me të ardhmen e tij.

Është diskutuar mundësia që pas përfundimit të mandatit presidencial avioni të kalojë në fondacionin e bibliotekës presidenciale të Trump në Miami.

Këtu lind debati mbi kufirin kushtetues që ndalon përfitimin e dhuratave nga shtetet e huaja nga zyrtarët amerikanë.

A mundet një president të pranojë një dhuratë kaq të kushtueshme nga një qeveri e huaj dhe më pas të ketë ndikim në destinacionin e saj përfundimtar?

Kjo është një çështje që kërkon sqarim ligjor dhe institucional.

Negociatat për luftën dhe interesat e biznesit

Ndoshta pjesa më delikate e gjithë kësaj historie lidhet me Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Të dy janë përfshirë në negociata ndërkombëtare për çështje të luftës dhe paqes, ndërkohë që kanë lidhje të forta me botën e biznesit dhe investitorët ndërkombëtarë.

Më 5 shtator 2026, sipas New York Times, Vladimir Putin paraqiti në Kremlin mundësinë e një marrëveshjeje për shitjen e aktiviteteve ndërkombëtare të kompanisë ruse të naftës Lukoil.

Për shkak të sanksioneve amerikane, çdo blerës duhet të marrë miratimin e Uashingtonit.

Në grupin e investitorëve të interesuar për këtë transaksion përmenden emra të lidhur me donatorë të Trump dhe investitorë nga Emiratet dhe Katari.

Kjo krijon një situatë jashtëzakonisht të ndjeshme: njerëz që negociojnë për çështje ndërkombëtare me Moskën mund të gjenden në të njëjtën kohë në një mjedis ku partnerët e tyre të biznesit kanë interesa në marrëveshje që kërkojnë miratimin e qeverisë amerikane.

Nuk është provuar se Witkoff apo Kushner kanë përfituar personalisht nga këto negociata. Por vetë konfigurimi i interesave ngre pikëpyetje serioze mbi konfliktin e mundshëm të interesit.

Bastet mbi naftën dhe dyshimet për informacion të brendshëm

Një tjetër çështje që po tërheq vëmendjen lidhet me tregtimin e naftës gjatë luftës amerikane me Iranin në vitin 2026.

Sipas raportimeve të ABC News, disa tregtarë kanë vendosur baste financiare me vlerë qindra milionë dollarë për rënien e çmimit të naftës, vetëm pak minuta ose orë përpara njoftimeve për armëpushime apo shtyrje të sulmeve.

Nëse dikush ka pasur informacion paraprak për këto vendime, mund të ketë përfituar shuma të jashtëzakonshme.

Departamenti i Drejtësisë dhe autoritetet mbikëqyrëse të tregtimit të kontratave të së ardhmes po shqyrtojnë disa prej këtyre transaksioneve.

Deri tani nuk është bërë publik identiteti i personave që qëndrojnë pas tyre.

Kjo është një tjetër çështje që tregon se si informacioni diplomatik dhe ushtarak mund të ketë vlerë të jashtëzakonshme në tregjet financiare.

Paradoksi i madh i Trump: Nga lufta kundër kënetës te një elitë e re

Donald Trump ndërtoi karrierën e tij politike duke sulmuar establishmentin amerikan.

Ai premtoi të largonte politikanët e korruptuar, të ndalte abuzimet e elitave dhe të vendoste interesat e qytetarëve amerikanë në plan të parë.

Por tani, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, rreth presidencës së tij është krijuar një rrjet ku familja, donatorët, investitorët dhe njerëzit e afërt kanë mundësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar pasuri.

Ironia është se një pjesë e madhe e këtyre aktiviteteve mund të mos përbëjë shkelje të drejtpërdrejtë ligjore.

Ligji federal amerikan për konfliktin e interesit nuk zbatohet në të njëjtën mënyrë ndaj presidentit si ndaj zyrtarëve të tjerë. Ndërsa aktivitetet e fëmijëve të tij dhe të njerëzve të afërt zhvillohen në një hapësirë ku mbikëqyrja dhe transparenca kanë kufizime të rëndësishme.

Por ligjshmëria nuk është i vetmi standard me të cilin duhet të gjykohet pushteti.

Ekziston edhe standardi etik, përgjegjësia publike dhe besimi i qytetarëve.

Sipas një sondazhi të Financial Times dhe Focaldata, 69 për qind e votuesve të regjistruar amerikanë shprehin shqetësim për korrupsionin dhe konfliktet e interesit.

Ndërkohë, mbështetja për Trump ka pësuar rënie, ndërsa çështja që shqetëson më shumë qytetarët amerikanë mbetet kostoja e jetesës.

Këtu qëndron paradoksi: qytetarët që votuan për të luftuar një elitë të pasur dhe të privilegjuar rrezikojnë të përballen me krijimin e një elite të re, edhe më të lidhur me pushtetin presidencial.

Kush e paguan faturën e pushtetit?

Historia e Kimberly Guilfoyle, investimet e sheikut Tahnoon, miliardat e Jared Kushnerit, bizneset e djemve të Trump, avioni nga Katari dhe marrëveshjet ndërkombëtare krijojnë një panoramë që kërkon hetim, transparencë dhe përgjigje.

Nuk është fjala për të mohuar të drejtën e familjes Trump për të pasur biznese apo për të investuar kapitalin e saj.

Çështja është tjetër: a mund të jenë njerëzit më të afërt të presidentit njëkohësisht përfitues të marrëdhënieve financiare me qeveri të huaja dhe pjesëmarrës në negociata ku vendoset fati i interesave strategjike amerikane?

Dhe nëse përgjigjja nuk është e qartë, kush garanton se vendimet e Uashingtonit merren në interes të qytetarëve dhe jo të një rrethi të ngushtë njerëzish?

Trump premtoi të thante kënetën e Uashingtonit. Por kritika që po ngrihet sot është se në vend të tharjes së saj, mund të jetë krijuar një kënetë e re, ku pushteti politik, kapitali ndërkombëtar dhe interesat familjare janë ndërthurur në një sistem të vetëm.

Më 3 nëntor 2026, zgjedhjet e mesmandatit në SHBA do të jenë një provë e rëndësishme politike për këtë administratë.

Në fund, pyetja nuk është vetëm sa miliarda mund të fitojë familja e presidentit, por nëse amerikanët do të pranojnë që Shtëpia e Bardhë të funksionojë si një portë hyrëse drejt biznesit më fitimprurës në botë: biznesit të aksesit te pushteti.

Burimi: Wall Street Journal, Reuters, Financial Times, New York Times dhe ABC News.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top