Nga Redaksia – Faik Konica e pati thënë dikur me një kthjelltësi të dhimbshme: armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë janë vetë shqiptarët. Një fjali që sot duket më aktuale se kurrë, ndërsa mbi Himara ka vërshuar një valë e pamëshirshme babëzie, që po kërcënon të zhdukë një nga perlat më të rralla të bregdetit shqiptar dhe më gjerë.
Në zemër të këtij thesari natyror, përbindëshat e betonit po ngrihen njëri pas tjetrit, duke shkatërruar identitetin, historinë dhe bukurinë që e kanë bërë Himarën një destinacion unik. Ajo që dikur ishte një zonë e mbrojtur nga natyra dhe tradita, sot po shndërrohet në një kantier të hapur ndërtimi.

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar dhënien e lejeve për ndërtimin e disa kullave deri në 16 kate në zonën e Potamit, duke i hapur rrugë një projekti që shumëkush e cilëson si kriminal për trashëgiminë kombëtare. Kompania përfituese e kësaj lejeje është “Eldino”, ndërsa përgjegjësia politike bie drejtpërdrejt mbi qeverinë e Edi Rama.
Me hyrjen e kullave në Himarë, duket se qeveria ka përmbyllur një projekt të gjatë betonizimi që ka përfshirë gjithë vijën bregdetare shqiptare. Nga Durrësi në Vlora, nga Shëngjini në Velipoja dhe Saranda, tashmë edhe Himara po i nënshtrohet të njëjtit fat: shkatërrimit në emër të zhvillimit.

Ky fenomen, i quajtur nga qytetarët si “Golemizim”, po përhapet si një sëmundje që gllabëron çdo hapësirë të virgjër, duke e kthyer bregdetin në një mur betoni pa identitet dhe pa shpirt.
Sipas zhvillimeve, plani për betonizimin e Himarës nisi menjëherë pas arrestimit të Fredi Beleri, kryebashkiakut që nuk arriti të marrë detyrën. Në tetor 2023, Jorgo Goro ndërmori hapat për ndryshimin e planit urbanistik të qytetit.
Pas nisjes së procedurave, ai u largua nga skena politike përmes arrestimit, ndërsa projekti vijoi pa ndërprerje. Më pas, stafeta kaloi tek Vangjel Tavo, një tjetër emër i lidhur me akuza për abuzime me pronat në jug.
Në vitin pasues, mes tensioneve të forta, Këshilli Bashkiak i Himarës miratoi planin e ri urbanistik, i cili në thelb i hap rrugën ndërtimit masiv dhe rritjes drastike të lartësive të ndërtesave.
Ajo që po ndodh sot në Himarë nuk është thjesht një çështje ndërtimesh. Është një përplasje mes interesit publik dhe babëzisë së pakufishme. Është një betejë për mbijetesën e një trashëgimie që nuk mund të zëvendësohet kurrë.
Nëse kjo valë betonizimi vazhdon, shumë shpejt Himara nuk do të njihet më si perla e Jugut, por si një tjetër simbol i shkatërrimit të Shqipërisë nga vetë duart e saj. /Kapital
