Nga Redaksia – Një tjetër skandal po shpërthen në jug të Shqipërisë, aty ku qeveria e Edi Rama po përpiqet të justifikojë projektet e dyshimta në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit. Ndërsa kryeministri deklaron publikisht se “shteti nuk po fal asgjë” sepse prona në Zvërnec “është private”, vetë pronarët privatë po hedhin poshtë versionin zyrtar të qeverisë.
Sipas dëshmive që po qarkullojnë, shumë prej pronarëve kanë mbetur të shokuar kur panë tokat e tyre të rrethuara dhe të futura në projekt, pa qenë informuar, pa transparencë dhe pa marrë asnjë shpjegim zyrtar.
Deklarata e Ramës u bë gjatë prezantimit të kompanisë Albanian Digital Solution, ku ai tentoi të shuajë reagimet dhe protestat që kanë shpërthyer për projektin në Zvërnec. Sipas tij:
“Shteti nuk po fal asgjë sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private dembabadem.”
Por pyetja që shtrojnë banorët është e thjeshtë:
Nëse prona është private, atëherë si është e mundur që pronarët nuk dinin asgjë për rrethimin dhe përfshirjen e tokës së tyre në projekt?
Kjo situatë ka ngritur dyshime të forta për pazare të fshehta, manipulime me dokumentacionin dhe përdorimin e investitorëve strategjikë si mbulesë për grabitjen e zonave më të lakmuara bregdetare të Shqipërisë.
Banorët dhe aktivistët që kanë protestuar kundër projektit thonë se ndërtimet në atë zonë janë të paligjshme dhe se po shkatërrohet një nga zonat më të rëndësishme natyrore dhe historike të vendit. Zvërneci dhe ishulli i Sazan konsiderohen pasuri kombëtare me rëndësi strategjike, ndërsa qeveria po i trajton si mall tregu për oligarkë dhe investitorë të huaj.
Rama pranoi gjithashtu se negociatat për ishullin e Sazanit nuk kanë përfunduar ende dhe se pjesë e projektit është edhe Korporata Shqiptare e Investimeve, çka tregon qartë përfshirjen direkte të shtetit në këtë aferë, pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur si “pronë private”.
Ndërkohë, protesta në zonë po rritet dita-ditës dhe qytetarët kërkojnë transparencë të plotë mbi kontratat, pronësinë reale dhe interesat që fshihen pas këtij projekti miliardësh.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
