VIDEO: Uji i policisë mbi familjet protestuese, reagimi i Gent Prognit: “Familja nuk është armik” …

Nga Redaksia – Pamjet e protestës së fundit kanë sjellë reagime të forta në opinionin publik, pasi forcat e policisë përdorën autobotin me ujë ndaj protestuesve, mes të cilëve ndodheshin edhe familje me fëmijë të vegjël.

Mes zërave më kritikë ishte edhe Gent Progni, i njohur si një nga denoncuesit e parë publikë të skandaleve dhe abuzimeve që lidhen me AKSHI-n, i cili reagoi ashpër ndaj trajtimit të protestuesve nga policia.

“Armikut më të madh në protestë i hidhet ujë – familjes!!! Distancohu Skënder Hida!!!”, shkruan Progni në reagimin e tij.

Sipas tij, kur uji i policisë përplaset mbi një familje me fëmijë, nuk laget vetëm asfalti, por edhe turpi i një shteti që ka harruar misionin e uniformës.

“Kjo është pamje që të rëndon si shoqëri. Kur uji i policisë përplaset mbi një familje me fëmijë të vegjël, nuk laget vetëm asfalti — laget turpi i një shteti që ka harruar se uniforma nuk është për të frikësuar qytetarët, por për t’i mbrojtur ata”, deklaron ai.

Progni thekson se fëmijët nuk mund të trajtohen si rrezik publik dhe familjet nuk mund të konsiderohen armik nga një pushtet që pretendon të përfaqësojë qytetarët.

“Fëmijët nuk janë rrezik publik. Familjet nuk janë armik. Qytetarët që protestojnë nuk janë objekt për t’u shtypur”, vijon reagimi.

Sipas tij, përdorimi i forcës ndaj njerëzve të pambrojtur tregon humbjen morale dhe politike të pushtetit.

“Një pushtet që përdor forcën ndaj njerëzve të pambrojtur, ka humbur çdo argument. Dhe kur një fëmijë sheh shtetin si pompë uji dhe jo si mbrojtje, dëmi nuk matet me minuta lajmesh — matet me besimin që humbet për vite”, shprehet Progni.

Në fund të reagimit të tij, ai përsërit mesazhin që është bërë simbol i protestave kundër projekteve në Zvërnec dhe Sazan:

Shqipëria nuk shitet. As dinjiteti i qytetarëve nuk lahet me ujë policie.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *