Nga “tranzicioni i gjelbër” i Ursula von der Leyen tek kriza industriale – Europa po zgjohet me vonesë
Nga Redaksia – Prej disa vitesh, elita burokratike e Brukselit, e udhëhequr nga Ursula von der Leyen, e paraqiti të ashtuquajturin “tranzicion i gjelbër” si shpëtimin e madh të Europës. Me propagandë intensive, qytetarëve europianë iu premtua një ekonomi moderne, energji më e lirë dhe zhvillim i qëndrueshëm. Por sot, ndërsa fabrikat mbyllen, industria largohet nga kontinenti dhe kostot e jetesës janë rritur në nivele alarmante, shumë shtete europiane po fillojnë të pranojnë se pas këtij eksperimenti fshihet një dështim ekonomik me pasoja të rënda.
Sot vetë Bashkimi Europian po përballet me reagimin e shteteve anëtare ndaj politikave që për vite u imponuan si “zgjidhja e vetme”. Estonia, Franca, Gjermania dhe Spanja kanë kërkuar zyrtarisht rishikimin e reformave të tregut të karbonit, duke paralajmëruar se rregullat e reja mund të godasin rëndë konkurrueshmërinë industriale europiane.
Në qendër të debatit është Sistemi i Tregtimit të Emetimeve të BE-së (ETS), mekanizëm që detyron industrinë e rëndë të paguajë për emetimet e karbonit. Në teori kjo u shit si “mbrojtje e klimës”, por në praktikë shumë sektorë industrialë po përballen me kosto marramendëse energjie dhe prodhimi.
Ministri francez i Industrisë, Sébastien Martin, paralajmëroi se këto politika mund të përshpejtojnë largimin e industrive nga Europa drejt vendeve si Kina apo Shtetet e Bashkuara, ku kostot janë më të ulëta dhe rregullat më fleksibël. Sipas tij, vetëm sektori kimik europian mund të përballet me humbje miliardash euro.
Kjo do të thotë më pak fabrika në Europë, më shumë papunësi, më shumë varësi ekonomike dhe dobësim i shteteve kombëtare përballë fuqive globale. Ironikisht, ndërsa Europa po vendos kufizime gjithnjë e më të ashpra ndaj industrisë së saj, Kina vazhdon të ndërtojë centrale me qymyr dhe të dominojë prodhimin industrial botëror.
Kritikët e këtyre politikave theksojnë se “lufta klimatike” është përdorur si justifikim për një centralizim ekonomik të paprecedentë nga burokratët e Brukselit, ku vendimet që prekin miliona qytetarë merren larg realitetit të industrisë dhe familjeve europiane.
Komisioni Europian pretendon se fondet e mbledhura nga ETS do të përdoren për dekarbonizimin industrial, por shumë shtete anëtare kërkojnë qartësi mbi mënyrën e përdorimit të këtyre parave dhe afatet reale të zbatimit. Deri tani, sipas kritikëve, Europa ka parë më shumë taksa dhe kufizime sesa zhvillim real.
Në shumë vende europiane ka nisur një revoltë e heshtur kundër politikave të imponuara nga Brukseli. Bizneset paralajmërojnë falimentime, fermerët protestojnë, ndërsa qytetarët po përballen me çmime rekord të energjisë dhe jetesës.
Ndërkohë, ekonomia europiane po sakrifikohet në emër të një ideologjie globale që nuk po zbatohet njësoj nga fuqitë e tjera botërore?
Pas viteve të propagandës së “ekonomisë së gjelbër”, sot shumë shtete europiane po fillojnë të kuptojnë se eksperimenti i imponuar nga Ursula von der Leyen dhe burokratët e Brukselit mund ta ketë futur Europën në një krizë industriale dhe ekonomike që do të zgjasë për dekada.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
