Nga Redaksia – Mediat amerikane dhe ndërkombëtare raportojnë se Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të SHBA ka zhvilluar seancën zyrtare për kandidaturën e gjeneralit në pension Eric Wendt, i propozuar nga Presidenti Donald Trump për postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri.
Sipas raportimeve, më 4 qershor komiteti zhvilloi mbledhjen procedurale ku u diskutua dhe u hodh në votim avancimi i kandidaturës së Wendt drejt Senatit të plotë amerikan, hapi i fundit përpara konfirmimit përfundimtar.
Eric Wendt është një ish-gjeneral me eksperiencë të gjatë në strukturat speciale të NATO-s dhe ushtrisë amerikane. Ai ka shërbyer si komandant i NATO Special Operations Headquarters dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në operacionet amerikane në Lindjen e Mesme dhe Azi.
Gjatë dëshmisë së tij në Senat, Wendt deklaroi se prioritetet e tij në Tiranë do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i partneritetit ushtarak SHBA-Shqipëri, siguria kibernetike dhe mbështetja e investimeve amerikane në vend.
Ai gjithashtu vlerësoi rolin strategjik të Shqipërisë në NATO dhe deklaroi se Porto Romano ka rëndësi të veçantë për objektivat e aleancës ushtarake perëndimore.
Megjithatë, deri tani nuk rezulton ende një konfirmim përfundimtar nga Senati i plotë amerikan, procedurë që pritet të zhvillohet pas miratimit nga komiteti.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
