Nga Redaksia – Një zhvillim i rëndësishëm diplomatik ka tronditur politikën e jashtme të Gjermanisë, pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara refuzoi kandidaturën gjermane për një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mandatin dyvjeçar që nis më 1 janar 2027.
Në votimin e zhvilluar në selinë e OKB-së në Nju Jork, anëtarët e Kombeve të Bashkuara zgjodhën Austrinë, Portugalinë, Kirgizinë, Zimbabvenë dhe Trinidad-Tobagon si pesë anëtaret e reja jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Ndërkohë, Gjermania pësoi një humbje të rëndë diplomatike duke mos arritur të sigurojë votat e nevojshme.
Sipas rezultateve zyrtare, Portugalia mori 134 vota, Austria 131 vota, ndërsa Gjermania vetëm 104 vota, duke mbetur jashtë dy vendeve të rezervuara për shtetet e Evropës Perëndimore dhe aleatët e tjerë.
Ky rezultat konsiderohet nga analistët si një shuplakë serioze për diplomacinë gjermane dhe për strategjinë e saj ndërkombëtare në vitet e fundit. Berlini kishte lobuar fuqishëm në prapaskenë për të siguruar një ulëse në organin më të rëndësishëm të sigurisë globale, por shumë vende duket se nuk e mbështetën qasjen aktuale të politikës së jashtme gjermane.
Këshilli i Sigurimit është organi më i fuqishëm i OKB-së dhe i vetmi që ka autoritet të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme për shtetet anëtare, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe autorizimin e përdorimit të forcës ushtarake.
Ky këshill përbëhet nga pesë anëtare të përhershme – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania dhe Franca – si dhe dhjetë vende jo të përhershme që zgjidhen me votë për mandate dyvjeçare.
Çdo vit zgjidhen pesë vende të reja nga grupet rajonale të OKB-së. Për këtë mandat, një vend i takonte Afrikës, një Amerikës Latine dhe Karaibeve, një Azisë dhe Paqësorit, si dhe dy vende Evropës Perëndimore dhe aleatëve të tjerë.
Austria dhe Portugalia do të zëvendësojnë Danimarkën dhe Greqinë në Këshillin e Sigurimit, ndërsa Gjermania mbetet jashtë një prej tryezave më të rëndësishme të vendimmarrjes globale.
Humbja e Berlinit pritet të ndezë debate të forta brenda politikës gjermane mbi drejtimin aktual të diplomacisë dhe ndikimin real të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
