Nga Armir Shkurti:
“Revolta e patronazhistëve” apo djegia e teserave nga disa “socialistë” që punojnë në administratë, është një tjetër dëshmi e asaj që quhet korrupsion kapilar i një sistemi të ngritur mbi lidhjet partiake dhe përfitimet personale.
Karta e anëtarësisë, sipas këtij këndvështrimi, nuk ka qenë thjesht një simbol politik, por për shumëkënd ka shërbyer si një “tallon” për të përfituar nga të mirat që ofron pushteti, duke u kthyer në një lloj çelësi për vende pune, favore dhe privilegje.
Ndërkohë, Shqipëria po përballet me një realitet të rëndë demografik. Mbi 1.5 milion shqiptarë janë larguar ndër vite, ndërsa shumë struktura publike në zona të ndryshme janë dobësuar dhe zbrazur. Sipas kritikëve të qeverisjes së sotme, edhe në këto kushte, mekanizmat e pushtetit vendor kanë vazhduar të funksionojnë si më parë, me interesa të lidhura me pushtetin.
Sot, kur shumë prej këtyre strukturave mund të përballen me ndryshime të mëdha, lind pyetja: nëse sistemi që prodhonte përfitime po zhduket, çfarë vlere ka më “talloni” që dikur siguronte privilegje?
“Disa thonë: Nuk po thua sa mirë që po i vështirësohet Ramës?”
Jo. Nuk them “sa mirë”. Sepse asgjë e mirë nuk mund të lindë nga parime të gabuara, nga interesa personale apo nga një moral politik i ndërtuar mbi përfitimin.
Nëse kërkohet një ndryshim i vërtetë, ai duhet të nisë mbi baza të pastra dhe jo nga njerëz që për vite me radhë kanë qenë pjesë e një sistemi për aq kohë sa ai u ka shërbyer atyre.
Ky është edhe qëllimi i këtij sqarimi: të mos krijohet iluzioni se çdo pakënaqësi brenda një force politike është domosdoshmërisht një aleancë për ndryshim. Jo çdo përplasje brenda një sistemi sjell rrëzimin e tij; ndonjëherë është thjesht një betejë për vendin që dikush ka humbur brenda të njëjtit sistem.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

