Altin Dumani, nga “njeriu i hekurt” i SPAK te padia në Itali – Gjyqtari rrëzon kërkesën për mbylljen e çështjes dhe urdhëron hetime të tjera …

Nga Redaksia – Ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, është përfshirë në një çështje gjyqësore në Itali, pasi kompania “Meral shpk”, në pronësi të familjes Cela, ka depozituar padi ndaj tij, duke e akuzuar për shpifje dhe kallëzim të rremë.

Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar në korrik të vitit 2025, kur autoritetet italiane, mbi bazën e informacionit të përcjellë nga SPAK, sekuestruan pasuri me vlerë rreth 4 milionë euro në Verona, nën dyshimin se ishin krijuar nga të ardhura të trafikut të kokainës.

Sipas medias italiane, vetëm një muaj pas sekuestrimit, gjykata italiane vendosi heqjen e masës së sekuestros dhe kthimin e pasurive te pronarët. Në vendim thuhej se dokumentacioni i paraqitur nga kompania provonte origjinën e ligjshme të investimeve, ndërsa anëtarët e familjes Cela rezultonin pa precedentë penalë.

Pas këtij zhvillimi, kompania “Meral shpk” depozitoi padi ndaj Altin Dumanit, duke pretenduar se informacioni i dërguar nga SPAK u kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare dhe cenim të reputacionit.

Një zhvillim i rëndësishëm në këtë proces është vendimi i gjyqtarit Enrico Zuccon, i cili rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Veronës për pushimin e çështjes. Në vend të mbylljes së procedimit, gjyqtari urdhëroi zhvillimin e hetimeve shtesë për të verifikuar dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare, si dhe për të sqaruar nëse SPAK kishte informuar autoritetet italiane për vendime të mëparshme që mund të binin në kundërshtim me akuzat e paraqitura.

Nga ana tjetër, edhe mbrojtja e Altin Dumanit kërkoi pushimin e procedimit, duke argumentuar se padia përbën një përpjekje për të penguar hetimet që ai kishte zhvilluar ndaj grupeve të krimit të organizuar.

Megjithatë, gjykata italiane nuk pranoi as kërkesën e Prokurorisë së Veronës dhe as atë të mbrojtjes së ish-kreut të SPAK-ut. Me vendimin e gjyqtarit Enrico Zuccon, Prokurorisë i janë lënë edhe dy muaj kohë për të kryer verifikime shtesë mbi dokumentacionin e ardhur nga autoritetet shqiptare. Pas përfundimit të këtyre hetimeve do të vendoset nëse procedimi penal ndaj Altin Dumanit do të vijojë apo do të pushohet.

Ky zhvillim ka rikthyer në qendër të debatit figurën e Altin Dumanit. Kritikët e tij e kanë cilësuar prej kohësh si “kalin e Trojës” brenda SPAK-ut, duke pretenduar se disa hetime dhe veprime të institucionit kanë dëmtuar individë apo biznese pa u mbështetur në prova të mjaftueshme.

Deri në këtë moment nuk ka një reagim publik nga Altin Dumani lidhur me zhvillimet më të fundit në Itali. Procedura mbetet në fazën e hetimeve shtesë, ndërsa vendimmarrja për vijimin ose pushimin e çështjes do të merret pas përfundimit të verifikimeve të urdhëruara nga gjykata. /Publik.al

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top