Çdo verë e njëjta dramë: Shqiptarët që kthehen në atdhe përballen me pritje shumëorëshe në kufij …

Nga Redaksia – Sa herë që mërgimtarët shqiptarë nisen drejt vendlindjes për të kaluar pushimet me familjet e tyre, i pret e njëjta dramë: kolona kilometrike, pritje të gjata dhe orë të tëra të humbura në pikat kufitare.

Shumë bashkatdhetarë kanë raportuar sot pritje tepër të gjata në kufijtë e Kroacisë me Malin e Zi dhe Serbinë. Situata është konfirmuar edhe nga Ambasada e Kosovës në Kroaci, e cila ka njoftuar se në pikën kufitare Karasovići, ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi, kolonat janë shumë të gjata dhe pritjet për hyrje në Mal të Zi zgjasin disa orë. Radhë të gjata janë regjistruar edhe në drejtimin e kundërt.

Edhe në pikën kufitare Vitaljina, pritjet për të dalë nga Kroacia janë disaorëshe, ndërsa kolona të gjata janë krijuar edhe në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, ku mijëra udhëtarë presin me orë të tëra për të kaluar.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës, autoritetet kroate kanë aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Megjithatë, fluksi i madh i automjeteve ka bërë që pritjet të mbeten shumë të gjata.

Për mijëra mërgimtarë shqiptarë, rruga drejt atdheut vazhdon të shoqërohet me lodhje, stres dhe pritje të pafundme. Edhe këtë verë, ata që kthehen për të takuar familjet e tyre po përballen me të njëjtin realitet, duke shpresuar që udhëtimi i tyre të përfundojë sa më shpejt dhe në siguri.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top