Marta Kos t’i sqarojë njëherë akuzat ndaj vetes, pastaj t’i kërkojë llogari Prishtinës për Gjykatën Speciale!

Nga Redaksia – Marta Kos është politikane dhe diplomate sllovene, e cila mori detyrën e komisioneres evropiane për Zgjerim në vitin 2024. Përpara këtij posti, ajo ka punuar si gazetare, në administratën shtetërore sllovene dhe si diplomate në disa vende evropiane.

Sot, në emër të politikës së zgjerimit të BE-së, ajo u kërkon vendeve që synojnë anëtarësimin të përmbushin kriteret evropiane dhe të respektojnë sundimin e ligjit. Por në rastin e Kosovës, deklaratat e saj nuk mund të shkëputen nga debatet mbi të kaluarën e vetë figurave që përfaqësojnë institucionet ndërkombëtare.

Gjatë deklaratës së saj, Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i ka dalë përballë Kosovës me një mesazh të prerë për Gjykatën Speciale në Hagë, duke i cilësuar si të papranueshme ndryshimet e propozuara në ligjin për Dhomat e Specializuara.

Por përpara se t’i japë leksione Prishtinës për shtetin e së drejtës, lind një pyetje që Brukseli duhet ta marrë seriozisht: a duhet që standardet e transparencës dhe llogaridhënies të vlejnë vetëm për vendet që kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, apo edhe për vetë zyrtarët që përfaqësojnë institucionet e tij?

Akuzat për lidhje me ish-shërbimin sekret jugosllav

Emri i Marta Kos është përfshirë në një debat të fortë në Slloveni lidhur me pretendimet për bashkëpunim të saj me UDBA-n, ish-shërbimin sekret të Jugosllavisë komuniste.

Studiuesi dhe autori slloven Igor Omerza ka ngritur akuza të tilla, duke iu referuar dokumenteve arkivore dhe kërkimeve të publikuara në librin e tij Komesarka. Kos i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.

Këto akuza përbëjnë një fakt të provuar dhe janë pjesë e debatit publik mbi të kaluarën e saj. Pikërisht për këtë arsye, kur Marta Kos u kërkon të tjerëve të japin llogari për respektimin e standardeve demokratike dhe sundimin e ligjit, lind pyetja se sa transparencë kërkohet edhe nga vetë përfaqësuesit e institucioneve evropiane.

Marta Kos nuk ka të drejtë të shprehë qëndrimin e Komisionit Evropian për çështjet që lidhen me integrimin e Kosovës pa pastruar figuren e saj. Dhe se qytetarët e Kosovës nuk mund të lejojnë dhe kanë të drejtë të pyesin për të kaluarën e zyrtarëve që u kërkojnë të tjerëve standarde të larta. Përpara se të kërkohet llogari nga Prishtina, duhet të ketë gatishmëri për t’iu përgjigjur pyetjeve të ligjshme edhe në Bruksel.

Sepse çështja prek një plagë të hapur për shoqërinë kosovare. Gjykata e Hagës gjykoi ish-drejtues të UÇK-së, ndërsa debati mbi mandatin, kompetencat dhe trajtimin juridik të çështjeve të luftës vazhdon të shkaktojë reagime të forta politike dhe shoqërore.

Kosova nuk është pa të drejtë të debatojë për ligjet e saj

Asnjë zyrtar i Bashkimit Evropian nuk e zëvendëson Kuvendin e Kosovës. Brukseli mund të vlerësojë përputhjen e vendimeve të Prishtinës me angazhimet e saj evropiane dhe të shprehë pasojat politike që mund të kenë ato për procesin e integrimit. Por vendimmarrja ligjore në Kosovë u takon institucioneve të saj, brenda Kushtetutës dhe detyrimeve ndërkombëtare.

Kjo është arsyeja pse deklaratat e Marta Kos kërkojnë debat serioz: ku përfundon kërkesa legjitime për respektimin e shtetit të së drejtës dhe ku fillon presioni politik mbi institucionet e një vendi që ende nuk është anëtar i Bashkimit Evropian?

Kosova ka marrë përsipër angazhime ndërkombëtare, por kjo nuk e përjashton të drejtën e saj për të diskutuar publikisht funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe për të kërkuar transparencë nga të gjithë aktorët e përfshirë.

Pyetja mbetet: me çfarë autoriteti politik dhe moral i jepen Kosovës leksione nga Brukseli, kur edhe figura të larta evropiane përballen me akuza që kërkojnë sqarim publik.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top