Çun Lajçi nga Prizreni i drejtohet kryeministrit Rama: Po t’flas nga rruga, ty që na flet nga zyrat e blinduara!

Nga Redaksia – Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi publikon një reagim të fortë nga Prizreni, ku përmes një takimi me një adoleshent ngre pikëpyetje mbi shembullin që u japin të rinjve drejtuesit e vendit, përhapjen e hashashit dhe përplasjet mes pushtetit dhe protestuesve.

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi ka publikuar një shkrim të ashpër, të drejtuar kryeministrit Edi Rama, ku ndërthur një episod të përjetuar në Prizren me kritika të forta ndaj politikës, drogës dhe mënyrës se si pushteti u përgjigjet të rinjve që dalin në rrugë.

Në qendër të rrëfimit është takimi me një adoleshent nga Luma, i cili i kërkoi Lajçit të luante çifteli dhe të bënte një fotografi me të. Kur e pyeti se përse dëshironte një fotografi me një plak si ai, i riu iu përgjigj me fjalë që, sipas Lajçit, mbartin një domethënie të veçantë:

Se andrra jem asht me u ba si ti!

Për Lajçin, kjo përgjigje bëhet pikënisja e një reflektimi mbi figurat që frymëzojnë brezin e ri dhe modelin që përcjellin drejtuesit politikë.

Fëmijët morën zanatin e tij

Në shkrimin e tij, Lajçi e lidh kritikën ndaj kryeministrit me përhapjen e kanabisit dhe pasojat që, sipas tij, kjo dukuri ka për shoqërinë dhe rininë.

Ai ironizon modelin e drejtuesit që, në vend që të shërbejë si shembull për të rinjtë, kthehet në simbol të një realiteti që ai e konsideron shkatërrues.

Se ai zgatavelli ynë Shqipninë e mbolli me kanabis, e fëmijët morën zanatin e tij: me e ba tym vendin, me e ba tym jetën e mandej me u lavdue: ‘Po dehem si i pari i vendit tem!, shkruan Çun Lajçi.

Më tej, ai kundërshton gjuhën me të cilën, sipas tij, etiketohen të rinjtë që protestojnë, duke ngritur pyetjen se si mund të kërkohet dialog me një brez që është rritur mes problemeve që politika nuk ka arritur t’i zgjidhë.

Qysh asht baba, ashtu edhe i biri

Një nga pjesët më të forta të shkrimit është dedikimi që Lajçi thotë se i ka bërë librit të dhuruar adoleshentit nga Prizreni.

“Qysh asht baba, ashtu edhe i biri.”

Përmes kësaj shprehjeje, ai përcjell mesazhin se shembulli i të rriturve, e veçanërisht i atyre që drejtojnë vendin, ndikon drejtpërdrejt te brezat e rinj.

“Hashish u dhatë, pelim… vdekjen e ngadalshme! E tash pritni që ata mos me dalë rrugëve, mos me ju gjujtë me gurë e mos me ua kallë të mbjellat tueja!”, shkruan Lajçi, duke përdorur një gjuhë të ashpër për të shprehur zemërimin e tij ndaj realitetit që përshkruan.

Ai e mbyll këtë pjesë me një pyetje therëse drejtuar pushtetit: “Me kënd kërkoni dialog? Me korrjet tueja?”

Lajmet i marr në rrugë, jo prej televizorit

Lajçi shprehet se realitetin e vendit nuk e sheh vetëm përmes ekraneve televizive, por edhe përmes takimeve dhe bisedave me njerëzit e zakonshëm.

“A po e sheh ti, zgatavell? Unë lajmet i marr në rrugë, jo prej televizorit. E rruga ta kallxon kush asht qen, kush asht kalë e kush asht dele që blegërin!”, shkruan ai.

Në fund, Lajçi e zgjeron kritikën edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke përmendur Albin Kurtin dhe duke paralajmëruar se çdo drejtues që largohet nga njerëzit, i kthen shpinën interesit publik dhe e lidh pushtetin me interesa të tjera, rrezikon të përballet me të njëjtin zhgënjim.

“Se popullit nuk i detyrohesh veç kur t’duhen votat. I detyrohesh edhe kur s’ta zgjat dorën, kur t’kërkon llogari e kur ta kthen shpinën.”

Mesazhi i tij përmbyllës është një thirrje për përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe për të mos harruar se pushteti nuk mund të shkëputet nga njerëzit që e mbajnë atë.

“Duhet me e dashtë njiherë veten, për me mujtë me e dashtë njimiherë popullin, se kujt i duhet vendi pa njerëz?!”

Duke iu drejtuar Ramës, Lajçi shkruan se nuk po i kërkon as largimin dhe as dorëheqjen, por e mbyll reagimin me një paralajmërim të ashpër, duke iu referuar historisë së Abdullah Drenit dhe Maxharr Pashës.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top