Nga Redi Minga:
Heqja e flamurit të Izraelit nga ambasada në Tiranë u shoqërua me reagime të forta politike. Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë ngjarje si një akt antisemitizmi dhe e përdori si argument për të dënuar atë që ai e quajti urrejtje ndaj Izraelit.
Por një pyetje e madhe vazhdon të mbetet pa përgjigje: a u zbulua personi që hoqi flamurin e Izraelit nga ambasada dhe çfarë rezultoi nga hetimi?
Sepse vetë rrethanat e ngjarjes kanë ngritur shumë pikëpyetje në opinionin publik.
Si është e mundur që një person i maskuar të arrijë pranë një ambasade, të heqë flamurin dhe më pas të largohet pa u ndaluar? Si mundi një vajzë me maskë të kalonte muret, të hynte brenda territorit të ambasadës dhe të kryente një veprim të tillë pa hasur asnjë pengesë?
Kjo është pyetja që kërkon përgjigje, sidomos kur bëhet fjalë për një ambasadë të një shteti që njihet në botë për teknologjinë e avancuar të sigurisë dhe inteligjencës.
Nëse autoritetet shqiptare dhe institucionet përgjegjëse e kanë identifikuar personin, atëherë publiku meriton të dijë të vërtetën: kush ishte, cilat ishin motivet dhe çfarë provash ekzistojnë për këtë ngjarje.
Por nëse ende nuk ka një përgjigje të plotë, atëherë mbeten shumë pikëpyetje mbi mënyrën se si ndodhi kjo ngjarje dhe mbi interpretimin politik që iu dha më pas.
Debati bëhet edhe më i ndjeshëm për faktin se Kryeministri Rama e përdori këtë episod për të folur për antisemitizëm dhe për të ngritur akuza ndaj shoqërisë shqiptare. Por a është e drejtë që një veprim individual, nëse provohet si i tillë, të përdoret për të krijuar një imazh negativ ndaj një populli të tërë?
Shqiptarët historikisht kanë pasur marrëdhënie të veçanta me popullin hebre dhe Izraelin. Në periudha të vështira të historisë, shqiptarët kanë treguar humanizëm dhe solidaritet ndaj hebrenjve, një fakt që është pjesë e kujtesës historike të vendit.
Prandaj, çdo pretendim për antisemitizëm duhet të mbështetet në fakte konkrete dhe jo në përgjithësime politike. Ajo që kërkon publiku nuk janë deklarata, por transparencë dhe të vërteta.
Prandaj, Rama nuk duhet t’i cilësojë shqiptarët si antisemitë pa fakte konkrete. Shqiptarët historikisht nuk kanë qenë një popull antisemit dhe çdo akuzë e tillë duhet të mbështetet në prova. Nga këndvështrimi im, është vetë Rama ai që me deklaratat e tij po krijon tensione të panevojshme në këtë debat.”
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

