Nga Redaksia – Në një kohë kur shumica heshtën përballë skandalit të madh të sigurisë kibernetike në Shqipëri, vetëm një emër doli publikisht kundër versionit zyrtar të qeverisë: Gent Progni. Për vite me radhë ai ka ngritur dyshime të forta mbi mënyrën se si u menaxhua sulmi i pretenduar iranian ndaj sistemeve shtetërore shqiptare, duke pretenduar se pas propagandës së “hakerave iranianë” mund të fshihen gjurmë dhe interesa të tjera shumë më pranë Tiranës sesa Teheranit.
Progni ka qenë ndër të vetmit që ka publikuar dokumente, prova dhe analiza teknike që sfidonin deklaratat zyrtare të AKSHI-t, qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare. Ai pretendon se narrativa e ndërtuar mbi “sulmin iranian” është përdorur si mburojë për të fshehur përgjegjësi të brendshme dhe një skandal shumë më të madh që lidhet me manipulimin e të dhënave dhe sigurinë kombëtare.
Një zhvillim i ri ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi atë që prej kohësh është quajtur “sulmi iranian” ndaj Shqipërisë. Sipas Gent Prognit, grupi i parë dhe ai që konsiderohej si grupi origjinal i “hakerëve” është mbyllur papritur.
Pikërisht në atë grup ishte publikuar edhe certifikata e famshme pa logo, një dokument që sipas Prognit ishte gjeneruar një vit pasi pretendohej se virusi ishte neutralizuar nga FBI, Microsoft dhe kompani të mëdha izraelite të sigurisë kibernetike.
Ndërkohë, grupi i dytë — që sipas Prognit është thjesht një “copycat” i grupit të parë — vazhdon të jetë aktiv dhe madje ka më shumë ndjekës se origjinali.
Kjo situatë ka ngritur dyshime të forta për kohën dhe arsyen e mbylljes së grupit të parë. Vetë Progni ngre pyetjen:
“Pse ndodh kjo pikërisht tani, menjëherë pas daljes sime nga SPAK?”


Sipas tij, zhvillimet po ndodhin në një moment kur po shtohen zërat që hedhin poshtë versionin e sulmit iranian dhe kur hetimet po fokusohen gjithnjë e më shumë tek pista se autorët realë mund të kenë qenë brenda Shqipërisë.
Progni ka ngritur gjithashtu akuza edhe ndaj medias ndërkombëtare. Sipas tij, gazetës The New York Times i janë dorëzuar prova konkrete lidhur me këto pretendime, por një pjesë e rëndësishme e informacionit është censuruar në intervistën e publikuar.
Ai pretendon se në vitin 2023 “hakerat” kanë bërë një gabim fatal, që sipas tij nxori zbuluar manipulimin e gjithë operacionit. Pikërisht ky postim i vjetër, i publikuar prej tij vite më parë, po rikthehet sot në qendër të debatit publik.
Nëse pretendimet e Gent Prognit provohen, atëherë Shqipëria mund të përballet me një nga skandalet më të mëdha të manipulimit informativ dhe sigurisë kibernetike në historinë e saj moderne.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
