Nga Redaksia – Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar një formulë të re për afrimin e vendeve kandidate me Bashkimin Evropian, ku vendet e Ballkanit Perëndimor do të merrnin statusin e vëzhguesit në institucionet evropiane, ndërsa Ukraina do të fitonte një status të asociuar me BE-në.
Propozimi është bërë përmes një letre që Merz ua ka dërguar drejtuesve më të lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian António Costa dhe presidentin qipriot Nikos Christodoulides, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e radhës së BE-së.
Në letrën e tij, Merz thekson se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është zvarritur për shumë vite dhe se kjo ka krijuar pakënaqësi si tek vendet kandidate, ashtu edhe brenda vetë unionit evropian. Sipas tij, nevojitet një “dinamikë e re” për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.
Kancelari gjerman propozon “zgjidhje inovative” për përshpejtimin e integrimit evropian, duke sugjeruar që vendet kandidate të kenë qasje më të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian dhe lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së në procesin e vendimmarrjes.
Sipas propozimit, vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të merrnin statusin e vëzhguesit në institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, si dhe të merrnin pjesë në mbledhje të përbashkëta të Komisionit Evropian apo Parlamentit Evropian për çështje që lidhen drejtpërdrejt me rajonin.
Merz sugjeron gjithashtu një model të “integrimit gradual”, ku vendet kandidate do të afroheshin me standardet dhe politikat e BE-së nëpërmjet zbatimit të etapave të caktuara reformuese, të shoqëruara me mbështetje më të madhe financiare dhe institucionale nga Brukseli.
“E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.
Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë status kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova ende nuk e gëzon këtë status.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
