Edi Rama shkarkon drejtorët, por harron drejtorin e trenit Von der Leyen …
Nga Redaksia – Ju kujtohet kur Edi Rama u drejtohej të rinjve shqiptarë me deklarata kërcënuese, duke u lënë të kuptonin se, nëse nuk do të silleshin siç dëshironte ai, do ta kishin të vështirë të udhëtonin, madje as me tren?
Po mirë, zoti Rama, një pyetje kemi: Për cilin tren e kishit fjalën? Për trenin e rinisë shqiptare apo për trenin e famshëm të Ursula von der Leyen, që na e reklamuat bashkë me Belinda Ballukun?
Atë trenin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës, për të cilin na u premtua se punimet do të përfundonin shpejt, duke na e paraqitur si një tjetër sukses të madh të qeverisë.
Von der Leyen erdhi, kamerat u ndezën, premtimet u thanë dhe propaganda bëri xhiron e saj. Por qytetarët vazhdojnë të presin që premtimet të kthehen në realitet.
Ndërkohë, Rama ka vendosur të shkarkojë drejtorët e institucioneve. Të gjithë në radhë, me sa duket, përveç njërit: drejtorit të hekurudhave!
Mos vallë drejtori i trenave ka një biletë të veçantë që e shpëton nga shkarkimi? Apo është i vetmi që nuk mund të zëvendësohet, sepse treni që duhet të drejtojë ende nuk ka mbërritur në destinacionin e premtuar?
Në Shqipëri, duket se edhe shkarkimet kanë orar, ndërsa trenat kanë një tjetër kalendar: atë të premtimeve qeveritare.
Rama u flet të rinjve për udhëtimet, por para se t’u tregojë se ku mund të shkojnë, ndoshta duhet t’u shpjegojë se ku është treni që iu reklamua shqiptarëve me aq bujë.
Sepse një gjë është e sigurt: për të udhëtuar me tren duhet të kesh tren. Për ta inauguruar në propagandë, mjaftojnë kamerat, një palë deklarata dhe një vizitë zyrtare.
Dhe pyetja që mbetet është kjo: nëse të gjithë drejtorët u shkarkuan, pse drejtori i trenave shpëtoi? Mos vallë po ruan vendin për ditën kur treni i premtuar nga Rama dhe Balluku të mbërrijë më në fund në stacion?
Deri atëherë, të rinj shqiptarë, mos u shqetësoni për biletën. Problemi nuk është nëse do t’ju lejojnë të hipni në tren. Problemi është se kur do të kemi një tren ku të hipim!
© Copyright of PatriotikMedia.al


