Nga Redaksia – Aktivisti Andrea Bregu ka bërë një deklaratë publike në rrjetet sociale, ku ngre akuza ndaj kompanisë së telefonisë celulare One Albania, duke pretenduar se ajo ka shkelur në mënyrë të njëanshme kontratën e lidhur me të, në bashkëpunim me institucionet shtetërore.
Sipas Bregut, në nëntor të vitit 2024 ai ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me kompaninë, me një tarifë mujore prej 1400 lekësh të reja. Megjithatë, ai shprehet se së fundmi i është njoftuar një rritje prej 280 lekësh në muaj, e cila sipas tij hyn në fuqi nga data 1 maj.
Në deklaratën e tij, aktivisti pretendon se ndryshimi është bërë në mënyrë të njëanshme dhe pa dakordësinë e tij si klient, duke theksuar se gjatë gjithë kohës ka respektuar detyrimet kontraktuale dhe pagesat në mënyrë të rregullt.
Bregu shprehet gjithashtu se ka nisur procedurat ligjore dhe do t’i drejtohet fillimisht institucioneve për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Autoritetit të Konkurrencës. Nëse, sipas tij, nuk merren masa, ai paralajmëron se do ta çojë çështjen në gjykatën civile për të kërkuar respektimin e kontratës dhe ndalimin e ndryshimeve të njëanshme.
Ai gjithashtu ka deklaruar se disponon një regjistrim audio të realizuar në një dyqan të kompanisë në Tiranë, i cili sipas tij do të publikohet më vonë si pjesë e dokumentimit të rastit.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar publik nga One Albania lidhur me këto pretendime.
Çështja pritet të vijojë në rrugë institucionale dhe ligjore, ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritetet përkatëse do të ndërhyjnë për verifikimin e pretendimeve të ngritura nga aktivisti.

