Teknologji FAKE apo lojë e Ramës me Demon? Pse ende nuk janë zbuluar personat që hoqën flamurin e Izraelit dhe të Vatikanit?
Rama i bën vetë dhe pastaj mashtron me teknologjinë e Ervin Demos! Nëse Policia ka aparat inteligjent që identifikon personat me maska, pse nuk zbuloi kush hoqi flamurin izraelit dhe atë të Vatikanit?
Nga Redaksia – Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka dalë publikisht për të deklaruar se Policia e Shtetit po përdor teknologji inteligjente për të identifikuar personat e maskuar që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë gjatë protestave në Tiranë. Ai pretendon se identitetet e disa personave janë zbuluar përmes pamjeve filmike dhe materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës.
Por deklarata e ministrit ngre një pyetje të madhe: Nëse kjo teknologji është kaq e avancuar dhe arrin të zbulojë identitetin e njerëzve që mbulojnë fytyrën me maska, pse nuk ka zbuluar ende personat që hoqën flamurin izraelit nga ambasada dhe flamurin e Vatikanit?
Pse teknologjia e Policisë funksionon vetëm kur bëhet fjalë për protestuesit, por nuk jep përgjigje për ngjarje të tjera që kanë ndodhur në kryeqytet?
Apo teknologjia e shokut Demo ndizet dhe fiket sipas interesave të qeverisë Rama?
Kush i organizon skenarët e dhunës?
Një tjetër pyetje që ministri i Brendshëm duhet t’i japë përgjigje është: Kush i identifikon personat që shkaktojnë dhunë, por që nuk janë pjesë e protestës studentore?
Qytetarët kanë parë dhunë, përplasje dhe skena që kërkojnë hetim serioz. Por përse përgjegjësia kërkohet gjithmonë te studentët dhe protestuesit, ndërsa askush nuk jep përgjigje për personat që mund të kenë interes të provokojnë incidente dhe të njollosin protestën?
Nëse Policia ka teknologji për të identifikuar personat e maskuar, përse nuk e përdor atë për të zbardhur çdo episod të dyshimtë, pa dallim dhe pa selektivitet politik?
Komisariati nr. 3 dhe zjarri që kërkonte të zhvendoste vëmendjen
Një tjetër episod që kërkon shpjegim është zjarri në Komisariatin nr. 3, pas përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë.
Sipas pretendimeve që janë ngritur lidhur me këtë ngjarje, zjarri u kthye në një zhvillim që zhvendosi vëmendjen nga përplasjet dhe dhuna ndaj punonjësve të Policisë.
Kush e shkaktoi zjarrin? Kush ishte personi përgjegjës? A u identifikua dhe a u hetua me të njëjtin intensitet si personat që ministri Demo pretendon se janë zbuluar gjatë protestave?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje, jo konferenca për shtyp dhe deklarata për teknologji inteligjente.
Po xhamat e bankave dhe bizneseve, kush i theu?
Në protestat e fundit janë raportuar edhe thyerje xhamash të bankave dhe bizneseve private. Nëse Policia disponon teknologji që identifikon personat e maskuar, pse nuk bëhen publike rezultatet e hetimeve për këto episode?
Pse nuk shohim të njëjtën transparencë për çdo person që ka dëmtuar pronën private, pavarësisht se kujt i shërben apo çfarë interesi ka?
Zoti Demo, teknologjia nuk mund të jetë një alibi politike për të fajësuar protestuesit dhe për të shmangur përgjegjësinë e institucioneve!
Qytetarët nuk kanë nevojë për spektakël me fotografi dhe deklarata nga ministrat. Kanë nevojë për transparencë, hetime të paanshme dhe identifikimin e të gjithë personave që kanë kryer akte dhune.
Nëse i keni identifikuar personat me maska, tregoni edhe kush hoqi flamurin izraelit, kush hoqi flamurin e Vatikanit, kush vuri zjarrin në Komisariatin nr. 3 dhe kush shkatërroi pronat private.
Apo teknologjia e Ervin Demos është inteligjente vetëm kur duhet të mbrojë pushtetin e Edi Ramës dhe të godasë protestën qytetare?
© Copyright of PatriotikMedia.al


