Nga Redaksia:
Presidenti Donald Trump shpalli nga Muzeu i Biblës në Washington, D.C., nisjen e iniciativës madhore “America Prays”, e cila fton qytetarët amerikanë që çdo javë të marrin kohë për lutje të përbashkët për kombin dhe popullin e tyre, duke e vendosur fenë si shtyllën qendrore të jetës në Shtetet e Bashkuara.
“Presidenti Trump ka ringjallur një nga parimet themelore më të fuqishme të Amerikës: ne jemi një komb nën Zotin”, u shpreh Taylor Rogers, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për Fox News Digital. “Teksa afrohemi në 250-vjetorin e kombit më të madh në botë, presidenti fton amerikanët të luten për vendin dhe për popullin tonë. Amerika është më e fortë me fuqinë e lutjes”.
Qytetarët ftohen të mblidhen çdo javë në grupe me të paktën 10 persona për t’u lutur së bashku.
Synimi është forcimi i unitetit kombëtar dhe ruajtja e vlerave shpirtërore që kanë mbajtur gjallë Amerikën që prej themelimit.
Iniciativa vjen pas nisjes së “America250” në panairin shtetëror të Iowa-s, ku Trump i bëri thirrje komuniteteve fetare të ribashkojnë vendin përmes besimit.
Trump theksoi se lutja ka qenë shtylla që ka mbajtur dhe forcuar kombin amerikan që nga fillimi. “Nëse forcojmë fenë, gjithçka do të përmirësohet. Teksa hyjmë në 250 vitet e ardhshme, le të ribashkohemi si një komb nën Zotin”, deklaroi ai.
Nisma ka marrë përkrahjen e gjerë të udhëheqësve shpirtërorë në SHBA:
Franklin Graham, president i Samaritan’s Purse, u shpreh: “Betejat më të mëdha i fitojmë gjunjëzuar. Përmes America Prays mund të bashkohemi për të kërkuar udhëheqjen dhe mbrojtjen e Zotit për këtë tokë”.
Pastori Clint Pressley, nga Southern Baptist Convention, tha se lutja është “një dëshmi publike se ne varemi nga Zoti për urtësi dhe forcë”.
Në këtë nismë janë përfshirë organizata të fuqishme fetare si Samaritan’s Purse, Pray.com, Hallow, National Religious Broadcasters, Faith and Freedom Coalition, si dhe dhjetëra kisha e ministri të tjera në mbarë vendin.
“America Prays” shihet si një rikthim tek fryma që e ka përcaktuar gjithmonë kombin amerikan: një popull i bashkuar në besim, që kërkon bekimin e Zotit për të ardhmen e tij.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.
