Nga Redaksia – Gazetari Armir Shkurti ka ngritur alarmin për atë që ai e quan “Kali i Tro(po)jës”, një metaforë politike që lidhet me përpjekjen për të futur kontrollin partiak brenda revoltës qytetare që ka shpërthyer kundër regjimit të Edi Ramës.
Sipas Shkurtit, protesta nisi si një reagim popullor kundër një sistemi të kalbur politik, por shumë shpejt nisi tentativa për ta orientuar dhe kontrolluar atë nga strukturat e vjetra politike, sidomos nga Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha.
“Në fillim Berisha qe kundër protestës popullore. Më pas ‘çunat’ hynë butë në protestë me parrullat naive: ‘Rama në burg, Balluku në burg’, duke zëvendësuar thirrjen ‘Rama në burg, Berisha në burg’”, shkruan Shkurti.
Sipas tij, ajo që po ndodh sot është një operacion i mirëorganizuar për përçarjen e protestës dhe për identifikimin e “armiqve” brenda saj. Ai paralajmëron se patronazhistët blu po përdorin të njëjtën metodë që është përdorur për dekada në Shqipëri: infiltrimin e revoltave qytetare për t’i neutralizuar dhe për t’i kthyer në instrument politik të establishmentit.
Shkurti i bën thirrje qytetarëve të mos bien në të njëjtin kurth historik që, sipas tij, ka shkatërruar çdo lëvizje popullore në këto 36 vite tranzicion.
“Kanë nisur bukur protesta që më pas janë asgjësuar nga kuaj Troje”, paralajmëron ai.
Në qendër të mesazhit të gazetarit është refuzimi i asaj që ai e quan “ortakëria Rama-Berisha”, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të shpëtojë përmes rotacionit të zakonshëm politik mes dy kampeve që kanë dominuar vendin për dekada.
Ai shkon edhe më tej, duke deklaruar se një parti antidemokratike me “një mbret të vetëshpallur” në krye nuk mund të sjellë ndryshim real për shqiptarët. Sipas tij, rrezik mbeten edhe partitë e tjera që funksionojnë si klone të sistemit ekzistues.
Por përtej kritikës, Shkurti propozon edhe një rrugëdalje: krijimin e një projekti të ri politik kombëtar, me zgjedhje të reja dhe ndryshime rrënjësore në sistemin politik e ekonomik të vendit.
Ai kërkon:
- ndryshim të ligjit për partitë politike,
- ligje kundër monopoleve,
- garanci reale për përfaqësimin qytetar,
- dhe një sistem që nuk kontrollohet nga oligarkia politike.
Sipas tij, vetë populli që sot ndodhet në shesh ka aftësinë jo vetëm të protestojë, por edhe të hartojë një model të ri politik për Shqipërinë.
Mesazhi final i gazetarit është një thirrje e drejtpërdrejtë për vigjilencë:
“Protesta është e një populli të tradhtuar dhe nuk duhet lejuar të vidhet nga tradhtarët.”
Në një klimë ku revolta qytetare po rritet dita-ditës, paralajmërimi për “Kalin e Tro(po)jës” duket si një kujtesë se sistemi politik shqiptar ka mbijetuar shpesh jo duke përballur protestat, por duke i kontrolluar ato nga brenda.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
