Nga Redaksia:
Në Shqipëri po zhvillohet një fenomen shqetësues, ku ekzekutivi merr rolin e kreditorit, hetuesit dhe ekzekutorit në të njëjtën kohë, pa vendim gjykate. Qytetarë të pafajshëm po përballen me marrjen e pasurive të tyre nga shteti, edhe kur ato nuk janë lënë si garanci për borxhet që kanë marrë.
Ja si ekzekutivi merr rolin e kreditorit, hetuesit dhe ekzekutuesit në të njëjtën kohë, pa vendim gjykate: shteti “fajdexhi” merr në pronësi pasuritë e borxhlinjve edhe kur ato nuk janë lënë si garanci për kredinë.
Një agjenci shtetërore merr kompetenca të gjera, duke u shndërruar praktikisht në gjykatë dhe përmbarues njëkohësisht: bllokon dhe sekuestron llogari bankare, konfiskon fonde dhe, në fund, merr në pronësi pasuritë e patundshme të debitorëve – shtëpi, toka, bagëti apo mjete – të cilat më pas shiten në ankand.
Kredia është një detyrim ligjor që duhet shlyer, por jo kur kthehet në fajde. Fajdeja është vepër penale. Megjithatë, Vendimi nr. 140, datë 6 mars 2026, i nënshkruar nga kryeministri, rregullon procedurat për rikuperimin e garancive shtetërore dhe kredive të pakthyera, duke i dhënë kompetenca të gjera Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera (AMGKP), e njohur më parë si Agjencia e Trajtimit të Kredive.
Rikthimi i kredive të vjetra dhe zgjerimi i kompetencave
Sipas këtij vendimi, AMGKP merr kompetenca për të ndërhyrë në rikuperimin e detyrimeve që lidhen me garancitë sovrane pas pandemisë së vitit 2020, por edhe për kredi shumë më të vjetra, të transferuara nga bankat shtetërore para privatizimit.
Bëhet fjalë për kredi që datojnë që nga viti 1993, të njohura si “kredi traktorësh”, si dhe kredi të ish Bankës Agrare pas vitit 1997 – detyrime që në shumë raste janë mbi 20–30 vjeçare.
Ky vendim krijon një mekanizëm të ri, ku shteti hyn drejtpërdrejt në marrëdhëniet financiare mes bankave dhe debitorëve, duke marrë kompetenca që në një shtet ligjor i takojnë vetëm sistemit gjyqësor.
Nga garancia shtetërore te sekuestrimi i drejtpërdrejtë
Vendimi parashikon që AMGKP të nisë procedurat e rikuperimit sapo Ministria e Financave të paguajë një garanci shtetërore në favor të një banke. Pas kësaj, huamarrësi ndiqet nga agjencia për shlyerjen e detyrimit, ndërsa kjo e fundit merr edhe rolin e përmbaruesit.
Agjencia mund të bllokojë drejtpërdrejt llogaritë bankare dhe të sekuestrojë fondet përkatëse për të rikuperuar shumat e paguara nga buxheti i shtetit.
Kjo skemë vendos administratën publike mbi pasuritë dhe llogaritë e subjekteve private, ndërsa kontrolli gjyqësor zhvendoset në një fazë të mëvonshme, kur dëmi mund të jetë kryer tashmë. Praktikisht, ekzekutivi bëhet kreditor, hetues dhe ekzekutor në të njëjtën kohë.

Shteti si pronar i pasurive private
Vendimi shkon edhe më tej: në rast se pasuritë nuk shiten në ankandet përmbarimore, ato kalojnë në pronësi të vetë agjencisë, e cila më pas i administron dhe i shet për llogari të shtetit.
Në këtë mënyrë, shteti jo vetëm që rikuperon borxhin, por mund të bëhet edhe pronar i pasurive të debitorëve, një rol tipik i institucioneve financiare private. Pasuria regjistrohet sipas vlerës së ankandit të fundit, ndërsa kostot e administrimit dhe ruajtjes i shtohen detyrimit të debitorit.
Kjo krijon një situatë ku qytetari mund të humbasë pronën, ndërkohë që borxhi i tij vazhdon të rritet – një mekanizëm që ngjan me skemat e fajdesë.
Një precedent i rrezikshëm
VKM-ja 140 lejon marrjen në pronësi të pasurive edhe kur ato nuk janë lënë si garanci për kredinë. Kjo e kthen shtetin në një “fajdexhi” që shtrin dorën mbi prona private pa lidhje të drejtpërdrejtë me detyrimin financiar.
Në praktikat e Bashkimit Evropian, kreditë e pakthyera trajtohen nga sistemi bankar përmes mekanizmave të menaxhimit të riskut dhe jo nga agjenci shtetërore që marrin në pronësi pasuri private. Ndërhyrjet shtetërore janë të kufizuara dhe të rregulluara për të shmangur shtrembërimin e tregut.
Ndërkohë, ky vendim krijon të kundërtën: një model ku shteti rikthehet si aktor i drejtpërdrejtë në menaxhimin e kredive dhe pasurive private, duke ringjallur një praktikë që ekonomitë e tregut e kanë braktisur prej dekadash.
Rreziku për qytetarët
Kompetencat e reja të AMGKP shtrihen edhe mbi rastet e vjetra të viteve ’90, kur fermerë dhe qytetarë morën kredi të vogla për bujqësi apo blegtori nga bankat shtetërore.
Sot, pas më shumë se 30 vitesh, këta qytetarë rrezikojnë të humbasin jo vetëm vlerën e kredisë së dikurshme, por edhe pasuritë e tyre – shtëpitë, tokat dhe mjetet e jetesës.
Në vend që këto detyrime të trajtohen sipas logjikës së tregut dhe kohës, ato po centralizohen në një agjenci që vepron si gjykatë dhe përmbarues njëkohësisht.
