Nga Redaksia – Projekti për ngritjen e një Muzeu Hebraik në Shqipëri ka nisur prej vitesh dhe nuk është një ide e dalë në skenë sot, në mes të debatit që po zhvillohet në Vlorë.
Në vitin 2021 nisi procesi për projektimin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë, ndërsa në vitin 2022 u prezantua projekti fitues i studios izraelite Kimmel Eshkolot Architects. Projekti parashikonte ngritjen e muzeut në qendrën historike të Vlorës, në zonën ku kishte qenë i përqendruar komuniteti hebre i qytetit.
Më 17 prill 2022 u zhvillua prezantimi arkitektonik i projektit, ndërsa më 17 maj 2022 qeveria shqiptare publikoi zyrtarisht prezantimin e projektit fitues për Muzeun Hebraik në Vlorë.
Në atë periudhë ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ishte Yuri Kim. Pra, projekti për muzeun në Vlorë i përket një periudhe të hershme dhe është diskutuar publikisht shumë përpara se të kthehej në një çështje të debatueshme në vitin 2026.
Vetë kryeministri Edi Rama, në maj 2022, e përshkroi Muzeun Hebraik në Vlorë si hapin e parë dhe deklaroi se po punohej edhe për një qendër hebraike në Tiranë.
Dhe kjo nuk mbeti vetëm në deklarata.
Në shkurt 2023 qeveria shpalli konkursin për projektin e quajtur Muzeu Besa në Tiranë, një institucion që do të fokusohej te historia e shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe te kultura, tradita dhe arti hebraik. Në të njëjtin njoftim, Edi Rama e lidhte hapur projektin e Tiranës me Muzeun Hebraik që ishte nisur më parë në Vlorë.
Pra, bëhet fjalë për dy projekte të ndryshme, por të lidhura në kuadër të së njëjtës politikë kulturore.
Në Vlorë, projekti i Muzeut Hebraik është tashmë në terren. Punimet nisën në shkurt 2025 dhe qeveria njoftoi në mars 2025 se kantieri kishte hyrë në fazën e zbatimit. AADF e liston sot projektin si “On Going”, me një buxhet të angazhuar prej 6.5 milionë dollarësh.
Ndërkohë, në Tiranë, projekti i Muzeut Besa u shpall dhe u zhvillua si një projekt më i gjerë kulturor, me synimin për të krijuar një hapësirë kushtuar historisë, traditës dhe kulturës hebraike.
Kjo do të thotë se debati i sotëm për muzeun në Vlorë nuk mund të trajtohet sikur projekti është shpikur tani.
Projekti arkitektonik ishte prezantuar që në vitin 2022. Më pas u zhvilluan procedurat për zbatimin e tij, u shpall tenderi për ndërtimin në vitin 2024 dhe punimet nisën në vitin 2025.
Ndërsa ideja për një strukturë të ngjashme në Tiranë u artikulua nga Rama që në vitin 2022 dhe mori formë konkrete me konkursin e Muzeut Besa në vitin 2023.
Prandaj, ajo që po ndodh sot në Vlorë është vetëm faza më e dukshme e një projekti që ka disa vite histori.
Një projekt që nisi të marrë formë në vitet 2021–2022, u prezantua publikisht në kohën kur Yuri Kim ishte ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, u zhvillua më tej përmes procedurave të projektimit dhe financimit dhe sot është kthyer në një kantier ndërtimi.
Në të njëjtën kohë, Tirana ka pasur prej vitesh projektin e saj për një qendër/muze hebraik.
Kjo është kronologjia që duhet të mbahet parasysh për të kuptuar se çfarë po ndodh sot me projektet hebraike në Shqipëri: Vlora nuk është një projekt i sapokrijuar dhe Tirana nuk është një ide e dalë vetëm tani. Të dyja nismat janë artikuluar dhe zhvilluar prej vitesh.
© Copyright of PatriotikMedia.al

