Nga Redaksia – Besimi i qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve publike në Gjermani ka zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar deri më tani, ndërsa edhe mediat rezultojnë me një nivel veçanërisht të ulët besueshmërie.
Të dhënat vijnë nga studimi “Government Monitor 2026”, i cili tregon një rënie të ndjeshme të besimit të qytetarëve gjermanë ndaj institucioneve shtetërore.
Sipas studimit, vetëm 32 për qind e të anketuarve deklarojnë se kanë besim të madh ose shumë të madh ndaj shtetit në përgjithësi. Kjo përbën një rënie prej 6 pikë përqindjeje krahasuar me katër vite më parë, kur niveli i besimit ishte 38 për qind.
Edhe administrata publike përballet me një problem të ngjashëm. Vetëm 34 për qind e qytetarëve shprehen se kanë besim të lartë ndaj zyrave dhe administratës shtetërore.
Policia mbetet institucioni më i besuar
Në mesin e institucioneve publike, policia vazhdon të ketë nivelin më të lartë të besimit. Rreth 55 për qind e të anketuarve shprehen se kanë besim të madh ose shumë të madh tek ajo.
Pas policisë renditen sistemi i drejtësisë dhe gjykatat, me 41 për qind.
Ndërkohë, kur bëhet fjalë për institucionet politike, besimi është dukshëm më i ulët. Bashkitë dhe komunat gëzojnë besimin e 29 për qind të qytetarëve, ndërsa institucionet e landeve dhe ato federale arrijnë vetëm në 17 për qind.
Vetëm 20 për qind besojnë te mediat
Një tjetër shifër që tërheq vëmendjen lidhet me mediat.
Vetëm 20 për qind e të anketuarve deklarojnë se kanë besim të madh ose shumë të madh ndaj shtypit dhe mediave.
Kjo e vendos besimin ndaj mediave në një nivel edhe më të ulët se besimi ndaj shtetit dhe administratës publike.
Të dhënat tregojnë një problem më të gjerë të besimit publik në Gjermani, ku institucionet shtetërore, politika dhe mediat përballen me një distancim të konsiderueshëm nga qytetarët.
Studimi është zhvilluar gjatë prillit dhe majit 2026, me rreth 8 mijë pjesëmarrës mbi moshën 16 vjeç, të përfshirë nga të gjitha landet e Gjermanisë.
© Copyright of PatriotikMedia.al

