A do të ketë fuqi vendimi i Gjykatës së Vlorës për të zbardhur grabitjen e pronave në bregdet? Dyshimet për falsifikime dhe 211 milionë euro transaksione në Zvërnec …
Nga Redaksia – Një vendim i Gjykatës së Vlorës mund të shënojë një pikë kthese në një prej çështjeve më të bujshme të pronave në bregdetin shqiptar. Por pyetja që shtrohet sot është: a do të ketë ky vendim fuqinë të çmontojë të gjithë zinxhirin e tjetërsimit të pronave, të dyshuara se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara, apo do të mbetet vetëm një episod i izoluar i një historie shumë më të madhe?
Në qendër të kësaj historie janë pronat e Artur Shehut dhe familjarëve të tij, ish-avokati dhe biznesmeni nga Vlora, Pëllumb Petritaj, si dhe një seri procedurash gjyqësore e administrative që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si janë përfituar, regjistruar dhe transferuar sipërfaqe të konsiderueshme toke në bregdetin e Vlorës.
Gjykata e Vlorës: 16 milionë euro prona kalojnë në favor të shtetit
Më 18 nëntor 2026, Gjykata e Vlorës vendosi konfiskimin e pasurive të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e Ujit të Ftohtë.
Sipas Prokurorisë së Vlorës, këto pasuri i përkisnin Artur Shehut, familjarëve të tij dhe personave të tretë, të cilëve u ishin tjetërsuar pjesë të pronës.
Në këtë çështje, Pëllumb Petritaj u shpall fajtor për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale, duke u dënuar me 7 vite burg.
Vendimi lidhet me një sipërfaqe fillestare prej rreth 32 mijë metrash katrorë tokë bregdetare, e regjistruar në vitin 2009 në emër të tre trashëgimtarëve të familjes Shehu, mbi bazën e një vendimi gjyqësor të vitit 1996, të cilin gjykata e ka deklaruar të falsifikuar.
Sipas hetimeve, pas regjistrimit fillestar, prona u nda në disa parcela dhe u transferua përmes veprimeve të tjera juridike, duke krijuar regjistrime të reja pronësie në emër të personave të tretë.
Prokuroria argumenton se këto veprime kishin si qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurive.
Një vendim gjyqësor i vitit 1996, baza e tjetërsimit të pronës?
Në themel të çështjes qëndron një dokument i datës 14 maj 1996, i paraqitur si vendim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për vërtetimin e trashëgimisë së Seit Shehut.
Dokumenti njihte si trashëgimtarë ligjorë Kutbi Shehun, Ramis Shehun dhe Merjeme Shehun (Sulaj), të cilët do të përfitonin secili nga një e treta e pasurisë.
Por sipas vendimit të gjykatës, dokumenti rezultoi i falsifikuar, përfshirë edhe elementë që lidhen me përbërjen e trupës gjykuese.
Mbi bazën e këtij dokumenti u kryen më pas procedurat administrative të kthimit të pronës, të cilat përfunduan me një vendim të qershorit 2009 nga Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë.
Kështu, një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë u regjistrua në hipotekë në favor të trashëgimtarëve të familjes Shehu.
Gjykata urdhëroi konfiskimin e pronës fillestare me numër 41/109 në zonën kadastrale 8602, si dhe të pasurive të tjera që rrjedhin prej saj.
Petritaj dënohet, por mbrojtja paralajmëron apelimin
Pas vendimit, avokati i Pëllumb Petritajt, Ferdinand Ndoja, e konsideroi vendimin të pavlefshëm dhe paralajmëroi apelimin e çështjes.
“Nuk u provua që Pëllumb Petritaj kishte dijeni që vendimi i gjykatës ishte i falsifikuar. Petritaj ka vepruar si përfaqësues në atë çështje, si quasi avokat. I kanë dhënë aktet dhe i ka dorëzuar. Ky është një kalvar i gjatë dhe do të vazhdojë gjatë”, deklaroi avokati Ndoja.
Petritaj ka mohuar akuzat ndaj tij, ndërsa mbrojtja pretendon se ai ka vepruar vetëm si përfaqësues në procedurat përkatëse.
Megjithatë, çështja nuk mbyllet me vendimin për pronat në Ujin e Ftohtë. Përkundrazi, ajo ngre pikëpyetje për një histori shumë më të gjerë të transaksioneve dhe tjetërsimit të pronave përgjatë bregdetit të Vlorës.
Nga Uji i Ftohtë te 108 hektarët në Zvërnec: ku përfundon zinxhiri i pronësisë?
Historia e Artur Shehut dhe Pëllumb Petritajt është rikthyer fuqishëm në vëmendjen publike gjatë vitit 2026, pas zhvillimeve rreth projektit të resorteve turistike në zonën e Zvërnecit, të promovuar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Një investigim i publikuar në maj 2026 zbuloi se kompanitë e përfshira në projekt kishin lidhur marrëveshje për më shumë se 251 hektarë tokë në zonën Pishë Poro-Nartë.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre pronave lidhej me Artur Shehun, familjarët e tij dhe persona të tjerë të lidhur me ta, përfshirë vajzën e Pëllumb Petritajt.
Sipas dokumenteve të bëra publike, Artur Shehu dhe persona të lidhur me të kishin nënshkruar fillimisht një kontratë sipërmarrjeje për një sipërfaqe prej rreth 108 hektarësh, ndërkohë që pronësia mbi këto toka vazhdonte të kontestohej në gjykatë nga banorët vendas.
Në qershor 2026, SPAK ndërmori kontrolle në kuadër të një hetimi mbi origjinën e pronave dhe transaksionet në zonën e Zvërnecit.
Hetimi u përqendrua edhe te marrëdhëniet mes personave të përfshirë në shitblerjen e tokave, familjarëve të tyre dhe kompanive që synonin zhvillimin e projektit turistik.
211 milionë euro transaksione dhe sekuestrimi i 128 milionë eurove
Sipas dokumenteve të hetimit paraprak, nga nëntori 2025 deri në maj 2026 u nënshkruan kontrata shitblerjeje me një vlerë totale prej rreth 211 milionë eurosh.
Përmes këtyre kontratave, prona të Artur Shehut dhe personave të lidhur me të kaluan drejt kompanisë “Albania Land Development”, në pronësi të dy vëllezërve nga Katari, Al Khayyat, si dhe kompanive të tjera offshore në SHBA dhe Luksemburg, të përfshira në projektin turistik të Zvërnecit.
SPAK ngriti dyshime për pastrim parash, duke vënë në fokus rritjen e shumëfishtë të vlerës së pronave brenda një periudhe të shkurtër dhe mënyrën e kryerjes së transaksioneve.
Më 10 qershor 2026, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e një transaksioni prej 128 milionë eurosh.
Në vendimin e saj, GJKKO evidentoi se nga hetimet kishin dalë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se pasuritë mund të ishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme përmes falsifikimeve të dokumenteve të përdorura për njohjen e pronësisë dhe regjistrimin e trashëgimisë.
Artur Shehu dhe Pëllumb Petritaj i kanë mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tyre.
Pyetja që kërkon përgjigje: a do të shkojë hetimi deri në fund?
Vendimi i Gjykatës së Vlorës për konfiskimin e pronave me vlerë 16 milionë euro është një zhvillim i rëndësishëm, por ai nuk i jep ende përgjigje të gjitha pikëpyetjeve që lidhen me pronat në Zvërnec.
Nëse një pjesë e pronave është përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara, si do të trajtohen transaksionet e mëvonshme? Çfarë ndodh me kontratat e shitblerjes, regjistrimet e reja të pronësisë dhe marrëveshjet që lidhen me projektin turistik?
Dhe mbi të gjitha, a do të shtrihet hetimi deri te të gjithë personat dhe subjektet që kanë përfituar nga ky zinxhir transaksionesh?
Nuk mjafton të konfiskohen disa prona në Ujin e Ftohtë, nëse mbeten pa u sqaruar pretendimet për qindra hektarë në një prej zonave më të lakmuara të bregdetit shqiptar.
Çështja e Zvërnecit nuk është thjesht një konflikt pronësie. Ajo është një provë e rëndësishme për drejtësinë shqiptare: nëse dokumentet e pronësisë janë falsifikuar, a do të ketë guximin dhe fuqinë ligji të çmontojë të gjithë zinxhirin e përfituesve, pavarësisht vlerës së investimit dhe emrave që qëndrojnë pas tij?
© Copyright of PatriotikMedia.al


