Nga Redaksia – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar sot takimin e ambasadorit amerikan Eric Wendt me kryeministrin Edi Rama, duke përcjellë një mesazh të qartë mbi prioritetet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
“Një partneritet i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku”, shkruan Ambasada Amerikane në postimin e saj.
Sipas njoftimit zyrtar, ambasadori Wendt dhe kryeministri Rama diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar.
Dhe pikërisht këtu nis debati që sot pritet të ndizet në Shqipëri.
Do të ketë shqiptarë që do të nisin menjëherë të akuzojnë ambasadorin amerikan, duke përsëritur skenarin e vjetër se “Rama kapi edhe këtë ambasador”, ashtu siç është thënë më herët për ambasadoren Yuri Kim.
Por kjo mënyrë leximi e marrëdhënieve diplomatike është tepër e thjeshtëzuar.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk është aty për të bërë opozitën e Shqipërisë dhe as për të marrë përsipër luftën politike të shqiptarëve kundër qeverisë. Detyra e tij është të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara dhe interesat e politikës amerikane në Shqipëri.
Kjo do të thotë se në qendër të vëmendjes së Uashingtonit janë marrëdhëniet dypalëshe, siguria dhe mbrojtja, bashkëpunimi ekonomik, investimet, lufta kundër krimit të organizuar dhe objektivat strategjike amerikane në rajon.
Nëse në Shqipëri ka korrupsion, përplasje politike, akuza ndaj qeverisë apo probleme të tjera të brendshme, këto nuk janë automatikisht çështje që përcaktojnë çdo takim apo çdo deklaratë të ambasadorit amerikan.
SHBA-të kanë interes që Shqipëria të jetë një partnere e qëndrueshme dhe që qeveria shqiptare të ndjekë angazhimet dhe politikat që lidhen me interesat strategjike të dy vendeve.
Prandaj edhe një fotografi e ambasadorit me kryeministrin nuk duhet lexuar automatikisht si “mbështetje për Ramën”, por as si provë se ambasadori është “kapur” nga kryeministri.
Mesazhi i sotëm i Ambasadës Amerikane është pikërisht aty: mbrojtja, tregtia, investimet dhe lufta kundër krimit të organizuar.
Pjesa tjetër është debat politik shqiptar.
Dhe këtu shqiptarët duhet të bëjnë dallimin mes asaj që thotë zyrtarisht Uashingtoni dhe asaj që politika shqiptare dëshiron të lexojë nga një takim diplomatik.
Ambasadori amerikan në Tiranë është përfaqësues i SHBA-së. Ai do të punojë për interesat e SHBA-së.
Ndërsa nëse qeveria shqiptare përmbush apo jo standardet që kërkohen prej saj, kjo është një çështje tjetër dhe duhet gjykuar mbi veprimet konkrete, jo mbi një fotografi apo një postim në Facebook.
© Copyright of PatriotikMedia.al

