Rama po përgatit një tjetër “kurban”? Beteja e radhës brenda PS-së duket se do të zhvillohet mes grave …
Nga Fatmir Merkoçi:
Në një kohë kur studentët vijojnë protestat dhe ministrja Mirela Kumbaro ka zgjedhur heshtjen, ndërsa brenda Partisë Socialiste po zhvillohen përplasje dhe lëvizje të shumta politike, duket se në horizont po përgatitet një tjetër riformatim i kabinetit Rama.
Në qendër të këtyre ndryshimeve mund të jetë posti i zëvendëskryeministres. Mirela Kumbaro, një prej ministreve më jetëgjata në kabinetet e Edi Ramës, me rreth 11 vite në qeverisje, mund të jetë një prej emrave që do të sakrifikohen në kuadër të një riorganizimi të ri qeveritar.
Por lëvizjet nuk duket se përfundojnë këtu. Përplasjet e mundshme me Albana Koçiun dhe dilemat rreth firmosjes së akteve në emër të kryeministrit mund të kenë krijuar një situatë të re politike. Nëse këto zhvillime konfirmohen, Koçiu mund të projektohet drejt Bashkisë së Tiranës, duke krijuar një përplasje të drejtpërdrejtë me Ogerta Manastirliun, e cila prej kohësh është përfolur si një prej emrave të mundshëm për këtë post.
Ndërkohë, Rama duket se vazhdon t’u besojë figurave femërore në skemën e tij politike. Nëse Kumbaro largohet nga posti aktual, një prej emrave që përflitet si zëvendësues i saj në Ministrinë e Arsimit është Evis Margariti.
Në këtë mënyrë, Rama duket se po përgatit një tjetër riformatim politik, ku lëvizjet brenda kabinetit mund të shërbejnë njëkohësisht për të menaxhuar pakënaqësitë, për të riorganizuar pushtetin lokal dhe për të krijuar një balancë të re brenda Partisë Socialiste.
Pas largimit të Belinda Ballukut nga skema politike, Rama duket se është në kërkim të një tjetër figure të besueshme dhe politikisht të kontrollueshme, e cila mund të marrë përsipër koston e zhvillimeve të ardhshme. Në këtë skenar, Mirela Kumbaro mund të jetë një prej emrave që përflitet për t’u sakrifikuar.
Por pyetja kryesore mbetet: A kemi të bëjmë me një riformatim real të qeverisë, apo me një tjetër lëvizje taktike të Edi Ramës për të riorganizuar pushtetin brenda PS-së?
Rama kërkon të spostojë vëmendjen.
Kryeministri duket se po kërkon të zbehë si protestën studentore, ashtu edhe pakënaqësinë popullore, e cila po merr gjithnjë e më shumë dimension politik. Por qytetarët janë të bindur se zgjidhja e krizës nuk qëndron te ndërrimi i emrave apo te sakrifikimi i një ministreje tjetër.
Problemi, sipas këtij qëndrimi, nuk është një emër i vetëm, por vetë modeli i qeverisjes dhe kabineti që e ka shoqëruar atë.
Çdo lëvizje tjetër, pa një ndryshim thelbësor politik, rrezikon të thellojë krizën në vend, në dëm të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
Kujdes, spiunët!
© Copyright of PatriotikMedia.al


