Rilindja e Ramës dhe hija e komunizmit: Kur lufta brenda llojit kthehet në një betejë për mbijetesë politike …
Nga Redi Minga:
Komunistët, për të ruajtur pushtetin dhe Partinë, eliminonin kundërshtarët, por edhe shokët e tyre të luftës. Sot, historia duket sikur po përsëritet në kampin e Rilindjes së Edi Ramës, ku përplasjet brenda së njëjtës strukturë politike po marrin gjithnjë e më shumë karakterin e një lufte për mbijetesë.
Historia e komunizmit shqiptar ka një kapitull të errët që nuk duhet harruar kurrë: luftën brenda llojit. Ata që dikur luftuan krah për krah, që ndanë bukën, strehën dhe idealet e pretenduara të revolucionit, përfunduan duke u eliminuar, burgosur dhe internuar nga vetë shokët e tyre.
Për komunistët, besnikëria ndaj Partisë ishte mbi çdo lidhje njerëzore. Kush bëhej pengesë për pushtetin, kush dyshohej se mendonte ndryshe apo kush mund të rrezikonte hierarkinë, kthehej në armik.
Dhe kjo nuk përfundoi me eliminimin e ish-shokëve të luftës. Makineria represive e diktaturës goditi edhe gratë dhe fëmijët e tyre. Familje të tëra u shkatërruan, njerëz u burgosën, u internuan dhe u persekutuan vetëm për shkak të mbiemrit që mbanin.
Fëmijë që dikur ishin mbajtur në prehër nga ata që më vonë u kthyen në xhelatët e familjeve të tyre, u rritën në internime, burgje dhe vuajtje. Ky ishte fytyra kriminale e një regjimi që nuk njihte as miqësi, as mirënjohje dhe as mëshirë.
Kur pushteti kthehet në qëllim absolut, edhe shoku i djeshëm bëhet armiku i sotëm.
Sot, në Shqipërinë e Edi Ramës, përplasjet brenda Rilindjes ngrejnë pikërisht këtë pikëpyetje: A po shohim një përsëritje të mentalitetit të vjetër politik, ku mbijetesa personale dhe ruajtja e pushtetit janë më të rëndësishme se çdo parim?
Rilindja u prezantua si një projekt i ri politik, por mënyra se si funksionon pushteti, përqendrimi i vendimmarrjes dhe marrëdhëniet e brendshme të hierarkisë politike sjellin në vëmendje praktika që Shqipëria duhej t’i kishte lënë pas bashkë me diktaturën.
Lufta brenda llojit ka nisur të shfaqet gjithnjë e më hapur. Në një strukturë ku pushteti është burimi kryesor i ndikimit, privilegjeve dhe kontrollit, humbja e pozicionit mund të kthehet në një betejë të pamëshirshme.
Nuk është çështja nëse historia do të përsëritet identikisht. Çështja është nëse trashëgimia politike dhe mentaliteti autoritar i së kaluarës vazhdojnë të jetojnë nën emra, simbole dhe struktura të reja.
Komunizmi shqiptar la pas një bilanc të tmerrshëm krimesh, përndjekjesh dhe eliminimesh politike. Kjo histori duhet të shërbejë si paralajmërim për çdo pushtet që e konsideron veten mbi ligjin dhe çdo strukturë politike që nuk toleron kundërshtimin.
Sepse një pushtet që ushqehet nga frika, kontrolli dhe besnikëria e verbër, herët a vonë përballet me armiqtë që krijon brenda vetes.
Dhe kur fillon lufta për fronin, ata që dje pinin e festonin së bashku, nesër mund ta shohin njëri-tjetrin si pengesën më të madhe për mbijetesën politike.
Historia e diktaturës na ka treguar se deri ku mund të shkojë kjo logjikë. Shqipëria nuk duhet të lejojë që ajo të rikthehet, qoftë edhe me një emër tjetër.
© Copyright of PatriotikMedia.al


