Sulmi i Elisës ndaj kreut të Rilindjes vë në lëvizje SPAK-un e Edi Ramës… sa foli kundër “Belës”, e hëngri edhe Elisa!
Ja kush e komandon SPAK-un? Kuptojeni vetë!
Nga Redaksia – Dalja e Elisa Spiropalit në media dhe deklaratat e saj kundër Edi Ramës dhe Belinda Ballukut duket se nuk ishin thjesht një përplasje politike, por një tjetër episod i telenovelës së brendshme të Rilindjes, ku pas deklaratave publike po shfaqen zhvillime të reja dhe akuza që prekin institucionet shtetërore.
Në intervistën e saj në emisionin “Top Story” në Top Channel, Spiropali bëri akuza të forta ndaj Belinda Ballukut, duke pretenduar se ajo përdor influencën e saj në institucionet shtetërore për të ushtruar presion. Spiropali iu drejtua drejtpërdrejt Edi Ramës, duke i kërkuar të mbajë përgjegjësi politike dhe duke theksuar se problemet që lidhen me një grup të vogël individësh nuk duhet të rëndojnë mbi të gjithë Partinë Socialiste.
Ajo ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet, emërimet politike dhe ndikimi që mund të ushtrohet përmes administratës shtetërore, duke përmendur edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Të pandehur, me dosje, me problematika të rënda me drejtësinë, mund ende të përdorin institucionet e shtetit shqiptar për t’i bërë presion deri edhe ish-kryetarit të Kuvendit, deputetes së Partisë Socialiste. Atëherë, çfarë ndodh me individët që protestojnë në rrugët e Shqipërisë? Kush u shkon atyre në derë?, deklaroi Spiropali.
Ajo vijoi duke drejtuar gishtin nga kryeministri:
Thirrjen e kam këtu për Edi Ramën dhe jam shumë e drejtpërdrejtë, është kryeministri i vendit. I kemi besuar me votë, i kemi besuar me të gjitha energjitë tona, kemi vënë fytyrën tonë, Partia Socialiste e gjitha, se nuk ka lidhje këtu Partia Socialiste me çështje të qeverisjes së një klani të vogël. Dhe këtu është çështje parimore.
Por duket se telenovela e Rilindjes nuk përfundon me deklaratat televizive. Pas përplasjes publike, zhvillimet kanë marrë një tjetër drejtim, ndërsa emri i Spiropalit është përfshirë në një procedim penal të regjistruar në SPAK.
Nga përplasja politike te procedimi penal në SPAK
Sipas informacioneve të bëra publike, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal pas kallëzimeve të mbërritura ndaj deputetes Elisa Spiropali. Procedimi, sipas raportimeve, është regjistruar pa emër, por për një sërë veprash penale që lidhen me deklarimin e rremë, mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin.
Burimet mediatike raportojnë se procedimi është regjistruar në fund të tetorit dhe se kanë nisur veprimet hetimore për verifikimin e pretendimeve të ngritura në kallëzime.
Në kuadër të verifikimeve, sipas raportimeve, janë përfshirë dokumente të deklarimit të pasurisë, të dhëna tregtare, ndryshime pronësie, transaksione financiare, të ardhura dhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme. Në këtë çështje përmendet edhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj, si dhe persona të tjerë.
Duhet theksuar se regjistrimi i procedimit dhe verifikimi i kallëzimeve nuk përbëjnë provë fajësie, ndërsa hetimi duhet të përcaktojë nëse pretendimet kanë bazë ligjore.
Kreu i Tatimeve i përgjigjet Spiropalit: “Na keni bërë presion”
Përplasja mori një tjetër dimension pas reagimit publik të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, i cili iu përgjigj akuzave të Spiropalit duke ngritur pretendime të kundërta ndaj deputetes dhe bashkëshortit të saj.
Binaj deklaroi se administrata tatimore ishte përballur me presion lidhur me kontrollet e ushtruara ndaj bizneseve familjare, duke pretenduar se Spiropali dhe bashkëshorti i saj kishin intimiduar punonjës të administratës tatimore.
Sipas kreut të Tatimeve, kontrollet janë kryer në bazë të analizës së riskut dhe denoncimeve të qytetarëve, në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal. Ai pretendoi se kontrollet kanë evidentuar dyshime për evazion tatimor në përmasa të mëdha dhe se materialet përkatëse po referohen pranë organeve ligjzbatuese.
Binaj mohoi gjithashtu se kishte pasur takime personale me Belinda Ballukun, duke iu përgjigjur kështu akuzave të Spiropalit për ndikim dhe presion në administratën shtetërore.
Kreu i Tatimeve deklaroi se ndaj inspektorëve dhe familjarëve të tyre janë bërë kërcënime, pretendime të cilat, sipas tij, janë të dokumentuara dhe janë referuar në organet përkatëse.
Sa foli kundër “Belës”, u vu vetë përballë hetimit?
Përplasja mes Spiropalit, Ballukut, Ramës dhe administratës tatimore po nxjerr në pah një realitet që prej kohësh shoqëron politikën shqiptare: kur lufta brenda të njëjtit kamp politik shpërthen publikisht, pasojat nuk mbeten vetëm në deklarata televizive, por mund të përfundojnë edhe në dyert e institucioneve të drejtësisë.
Spiropali kërkoi përgjegjësi politike nga Rama dhe ngriti akuza për ndikim mbi institucionet. Ndërkohë, kreu i Tatimeve e akuzoi atë për presion ndaj administratës, ndërsa SPAK, sipas raportimeve, ka regjistruar një procedim penal dhe po verifikon kallëzimet.
A është kjo një përplasje e vërtetë për parime, një luftë e brendshme për pushtet, apo një tjetër episod ku protagonistët e Rilindjes përfundojnë duke denoncuar njëri-tjetrin?
Në Shqipëri, ku politika shpesh i ka kthyer institucionet në arenë përplasjesh, pyetja mbetet: kush do të dalë i fituar nga kjo luftë brenda Rilindjes dhe kush do të përfundojë përballë përgjegjësisë?
Sa foli kundër “Belës”, e hëngri edhe Elisa… Kuptojeni vetë!
© Copyright of PatriotikMedia.al


