Këshilltarja e re e Ramës: Raca e bardhë është krijuar në laborator! Po Rama, mos është prodhim i të njëjtit laborator?

Nga Redaksia – Satirë politike:

Duket se në Kryeministri nuk mjafton më të kesh një teori për ekonominë, politikën apo propagandën. Tani duhet të kesh edhe një teori për origjinën e njerëzimit, mundësisht me ndonjë laborator jashtëtokësor në sfond!

Këshilltarja e re e Edi Ramës për mediat, Vlera Gjakova, na ka zbuluar një të vërtetë që shkenca botërore paska harruar ta fusë në tekstet shkollore: raca e bardhë nuk është krijuar në Tokë, por në laborator!

Në një dalje të mëparshme në emisionin televiziv “Rrethi Katror”, Gjakova deklaronte:

“Raca jonë e bardhë nuk është racë e Tokës, por jemi bërë në laborator”.

Tani që kjo teori ka mbërritur deri në zyrat e komunikimit të Kryeministrisë, lindin natyrshëm disa pyetje që meritojnë përgjigje.

Po Edi Rama ku është krijuar? Në Tokë apo në të njëjtin laborator?

Mos vallë kemi zbuluar më në fund sekretin e qeverisjes shqiptare? Një laborator që prodhon këshilltarë me teori fantastiko-shkencore, ndërsa qytetarët presin përgjigje për ekonominë, korrupsionin, emigracionin dhe hallet e përditshme?

Ndoshta në takimin e ardhshëm të kabinetit duhet të kërkohet edhe certifikata e origjinës laboratorike. Madje, për të shmangur keqkuptimet, të bëhet edhe një inventar: kush është prodhim vendas, kush është importuar dhe kush është eksperimentuar në laborator!

Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujton se bëhet fjalë për një këshilltare që do të merret me komunikimin e një kryeministri. Në një vend ku propaganda shpesh zë vendin e përgjigjeve, duket se tani kemi kaluar edhe në një fazë të re: komunikim politik me teori laboratorike!

Por një gjë është e sigurt: shqiptarët nuk kanë nevojë për teori se nga cili laborator ka dalë njerëzimi. Kanë nevojë të dinë se nga cili laborator dalin këto ide që përfundojnë në zyrat e Kryeministrisë.

Dhe pyetja që mbetet pezull është:

A është Rama thjesht kryeministër, apo edhe një eksperiment i suksesshëm i këtij laboratori politik?

Kur propaganda kalon kufijtë e Tokës, satira nuk ka pse të mbetet në tokë!

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top