Nga Julian Hoxhaj:
Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Poliçanit dhe kryebashkiaku Adriatik Zotkaj kanë braktisur sërish sallën ku Edi Rama u kërkoi të heshtnin, duke refuzuar që të zgjedhurit vendorë të flisnin hapur për kundërshtimin e tyre ndaj planit Mazniku-Demo për shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit.
Edi Ramës duket se i ka ngecur “sharra në gozhdë” në Poliçan, por edhe në çdo bashki tjetër ku ka shkuar me pretekstin e konsultimit për Reformën Territoriale.
Në thelb të kësaj reforme, sipas kritikëve të saj, nuk qëndrojnë problemet reale të qytetarëve, por kalkulimet elektorale të qeverisë, me pasoja që mund të jenë jo vetëm politike, por edhe ekonomike për komunitetet që preken nga shkrirja e bashkive.
Lajmi i mirë është se banorët e këtyre zonave duket se e kanë kuptuar mirë propagandën e qeverisë. Ata nuk po i pranojnë më argumentet se “shërbimet nuk do të largohen”, “investimet nuk do të largohen” apo se “do të keni bashkinë, por pa kryetar të zgjedhur”.
Banorët e Poliçanit e dinë shumë mirë se një bashki nuk është thjesht një godinë apo një tabelë në hyrje të qytetit. Bashkia është dera ku qytetari troket për një hall, për një ndihmë ekonomike, për një leje ndërtimi, për një bursë për fëmijët, për një rrugë, për ujësjellësin, për kanalizimet apo për një investim në komunitet.
Ata besojnë se shkrirja e Bashkisë së Poliçanit do të sjellë edhe më shumë shpopullim. Sepse, nëse vendimmarrja zhvendoset në Berat, qytetari i Poliçanit nuk do ta ketë më pranë derën e kryebashkiakut Adriatik Zotkaj ku mund të trokasë dhe të kërkojë zgjidhje për problemet e komunitetit.
A do të jetë e njëjta gjë nëse qytetari duhet të shkojë në Berat për të kërkuar një ndihmë ekonomike, një leje për avlli, një bursë për fëmijët, një investim në rrugë, një riparim, një ujësjellës apo një problem tjetër të përditshëm?
Sot, në Berat, Edi Rama mori si shembull ish-komunat, duke argumentuar se pas reformës territoriale dhe bashkimit të tyre në bashki, banorët e zonave rurale janë më mirë se më parë.
Por pikërisht ky argument mund të kthehet në një autogol politik.
Nëse ish-komunat janë shembulli që duhet ndjekur, atëherë le të merret si shembull edhe ish-Komuna Cakran në Fier.
Le të dalë qeveria përballë banorëve dhe të tregojë: në cilën periudhë kanë pasur më shumë investime në rrugët rurale të asfaltuara, ujësjellësit e fshatrave, shkollat e rikonstruktuara, rrugët e arave, kanalizimet dhe sistemet e ujitjes?
Le të flasim përballë banorëve. Jo me mua, por me ata që e përjetojnë çdo ditë realitetin në zonat që preken nga këto reforma.
Janë pikërisht këta qytetarë që sot po e kundërshtojnë planin e shkrirjes së bashkive dhe po i detyrojnë drejtuesit e qeverisë të përballen me një realitet që nuk kontrollohet dot vetëm përmes propagandës.
Ndaj, një BRAVO e madhe për banorët e Poliçanit, Memaliajt, Divjakës, Prrenjasit, Fushë-Arrëzit dhe për çdo qytetar të bashkive që po reziston kundër planit të shkrirjes së tyre.
Një bravo e madhe edhe për Adriatik Zotkajn, Albert Malajn dhe çdo kryebashkiak socialist apo demokrat që ka zgjedhur të thotë “JO”, pavarësisht kostove politike që mund të ketë ky qëndrim.
Në fund të fundit, kryebashkiakët nuk janë zgjedhur për t’i shërbyer një partie apo një kryeministri. Janë zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve.
Dhe kur interesi i qytetarëve përplaset me interesin politik të pushtetit, detyra e një të zgjedhuri vendor është të mbrojë qytetarët që i kanë dhënë votën.
Për ata që kanë zgjedhur të heshtin dhe t’i nënshtrohen planit të shkrirjes së bashkive, ndërsa qytetarët e tyre kundërshtojnë, koha do të tregojë se në cilën anë të historisë lokale kanë zgjedhur të qëndrojnë.
Sepse një bashki mund të shkrihet me një vendim politik. Por besimi i qytetarëve nuk rindërtohet me një vendim qeverie.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

