lute grabit paratë e shqiptarëve? 11.4 milionë euro nga Shqipëria drejt kompanisë mëmë në Estoni …

Një miliard e 99 milionë lekë, ose rreth 11.4 milionë euro.

Nga Redaksia – Kaq para ka paguar gjatë vitit të kaluar Iute në Shqipëri ndaj kompanisë së saj mëmë në Estoni, sipas të dhënave të bilancit zyrtar të kompanisë.

Shifrat janë të qarta dhe ngrenë një pikëpyetje të madhe mbi mënyrën se si fitimet e krijuara nga aktiviteti financiar në Shqipëri po shpërndahen brenda grupit.

Nga kjo shumë, 605.5 milionë lekë janë paguar për shërbime menaxhimi, 219 milionë lekë për shërbime garancie dhe 274.3 milionë lekë të tjera janë paguar si interesa për borxhin ndaj pronarit estonez.

Pra, në një vit të vetëm, rreth 1.1 miliardë lekë kanë dalë nga kompania shqiptare dhe kanë shkuar drejt kompanisë mëmë në Estoni.

6.3 milionë euro vetëm për “menaxhim”

Një nga zërat më të mëdhenj dhe më shqetësues është ai i shërbimeve të menaxhimit.

Iute Albania ka paguar 605.5 milionë lekë, rreth 6.3 milionë euro, për shërbime menaxhimi ndaj kompanisë mëmë.

6.3 milionë euro në një vit.

Për një kompani që operon në Shqipëri, kjo është një shumë jashtëzakonisht e madhe për një zë të vetëm shpenzimi.

Dhe këtu lind pyetja që duhet t’u drejtohet drejtpërdrejt institucioneve shqiptare:

Çfarë shërbimesh menaxhimi janë ofruar konkretisht për 6.3 milionë euro?

Sa punonjës, ekspertë, drejtues, konsulentë apo struktura janë angazhuar?

Cilat janë kostot reale të këtyre shërbimeve?

Dhe mbi të gjitha: a janë këto pagesa në përputhje me çmimet e tregut?

Nga 184 milionë në 605 milionë lekë

Problemi bëhet edhe më i madh kur shikohet historia e pagesave.

Në vitin 2020, shërbimet e menaxhimit ishin rreth 184 milionë lekë.

Në vitin 2025, ato kanë arritur në 605.5 milionë lekë.

Pra, në vetëm pesë vite, ky zë është rritur me më shumë se tre herë.

Ndërkohë, shpenzimet totale që Iute Albania i ka paguar kompanisë mëmë në Estoni janë rritur nga rreth 3.96 milionë euro në vitin 2020 në 11.4 milionë euro në vitin 2025.

Paratë që largohen nga Shqipëria drejt kompanisë mëmë janë trefishuar.

824 milionë lekë vetëm menaxhim dhe garanci

Nëse lëmë mënjanë interesat e borxhit dhe marrim vetëm shërbimet e menaxhimit dhe garancisë, rezultati është përsëri tronditës.

605.5 milionë lekë për menaxhim.

219 milionë lekë për garanci.

Gjithsej: 824.5 milionë lekë.

Rreth 8.5 milionë euro të transferuara drejt Estonisë vetëm në këta dy zëra.

Për krahasim, fitimi neto që Iute Albania ka lënë në Shqipëri është rreth 421 milionë lekë.

Me fjalë të tjera, vetëm pagesat për menaxhim dhe garanci janë pothuajse dyfish më të mëdha se fitimi neto i deklaruar në Shqipëri.

Kjo nuk është një shifër që mund të kalojë në heshtje.

Shqipëria prodhon të ardhurat, Estonia merr një pjesë të konsiderueshme të tyre

Këtu qëndron thelbi i çështjes.

Iute Albania ushtron aktivitetin e saj në tregun shqiptar. Të ardhurat krijohen nga aktiviteti në Shqipëri. Por një pjesë shumë e konsiderueshme e parasë largohet drejt kompanisë mëmë përmes pagesave për menaxhim, garanci dhe interesa.

Ligjërisht, kompanitë ndërkombëtare kanë të drejtë të kryejnë transaksione me kompanitë e grupit.

Por kjo e drejtë nuk do të thotë se çdo shumë e faturuar brenda grupit duhet të pranohet automatikisht si shpenzim.

Çdo transaksion mes palëve të lidhura duhet të ketë një bazë reale ekonomike dhe të respektojë rregullat e çmimeve të transferimit.

Dhe pikërisht këtu duhet të hyjnë në lojë Tatimet.

Diferenca tatimore është thelbi i problemit

Në Shqipëri, fitimi i kompanive tatohet me 15 për qind.

Estonia ka një sistem krejt tjetër tatimor, ku fitimi i pashpërndarë i kompanive nuk tatohet me tatimin klasik mbi fitimin në momentin kur realizohet, por tatimi lidhet me shpërndarjen e fitimit.

Kjo krijon një diferencë të rëndësishme në trajtimin tatimor.

Në një sistem ku kompanitë ndërkombëtare mund të faturojnë njëra-tjetrën për shërbime, garanci, interesa dhe tarifa të ndryshme, kontrolli i çmimeve të transferimit bëhet thelbësor.

Sepse sa më shumë shpenzime të regjistrohen në Shqipëri, aq më i ulët bëhet fitimi i tatueshëm këtu.

Dhe sa më i ulët të jetë fitimi i tatueshëm, aq më e ulët është edhe taksa që paguhet në Shqipëri.

A po zhvendoset fitimi nga Shqipëria?

Kjo është pyetja që duhet të marrë përgjigje.

Jo nga gazetarët.

Jo nga opozita.

Jo nga rrjetet sociale.

Por nga institucionet tatimore.

Kur një kompani shqiptare i paguan kompanisë mëmë 11.4 milionë euro në një vit, ndërsa vetëm menaxhimi dhe garancia arrijnë në 8.5 milionë euro, Tatimet duhet të kenë në dispozicion të gjithë dokumentacionin përkatës.

Duhet të dihet se çfarë janë këto shërbime.

Duhet të dihet si janë llogaritur.

Duhet të dihet kush i ka ofruar.

Duhet të dihet se cilat janë kostot reale.

Dhe duhet të dihet nëse këto tarifa do të ishin paguar në të njëjtën masë edhe nëse palët nuk do të ishin pjesë e së njëjtës kompani.

Kjo është pikërisht logjika e kontrollit të transaksioneve me palët e lidhura.

11.4 milionë euro në vit. Dhe askush nuk pyet?

Nga 3.96 milionë euro në vitin 2020, në 11.4 milionë euro në vitin 2025.

Nga 184 milionë lekë shërbime menaxhimi në 605.5 milionë lekë.

824.5 milionë lekë vetëm menaxhim dhe garanci.

421 milionë lekë fitim neto i lënë në Shqipëri.

Këto nuk janë opinione.

Janë shifra financiare.

Dhe pikërisht për këtë arsye, çështja nuk mund të mbyllet me argumentin se “kompania ka të drejtë të paguajë kompaninë mëmë”.

Po, mund ta bëjë.

Por shteti shqiptar ka të drejtë dhe detyrim të kontrollojë nëse këto pagesa përfaqësojnë shërbime reale, me vlerë reale dhe me çmime të arsyeshme tregu.

Nëse po, atëherë dokumentet duhet ta provojnë.

Nëse jo, atëherë kemi një problem të madh me fitimin që largohet nga Shqipëria dhe me taksat që shteti shqiptar nuk i mbledh.

Ku janë Tatimet?

Si është kontrolluar ky volum transaksionesh me palën e lidhur?

A janë audituar kontratat e menaxhimit?

A janë kontrolluar kostot?

A janë krahasuar tarifat me çmimet e tregut?

A është kontrolluar transferimi i fitimit përmes shërbimeve brenda grupit?

Dhe mbi të gjitha:

Pse një kompani që operon dhe gjeneron të ardhura në Shqipëri po transferon drejt kompanisë mëmë në Estoni 11.4 milionë euro në vetëm një vit? /Kapital

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top