Rama dhe “800 mijë votat”: Po 1.5 milionë shqiptarëve të tjerë kush qeveri ju shërben?

Nga Redi Minga:

Kryeministri Edi Rama deklaron me krenari se është votuar nga rreth 800 mijë shqiptarë. Por pyetja që lind është e thjeshtë: Kryeministër i kujt je ti, vetëm i atyre 800 mijë votuesve apo i të gjithë shqiptarëve?

Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria ka rreth 2.335.930 banorë. A do të thotë kjo se miliona shqiptarë të tjerë nuk kanë të drejtë të kërkojnë shërbime nga shteti, sepse nuk kanë votuar për ty?

A janë këta qytetarë “Sorra”, siç i ke quajtur në disa nga deklaratat e tua, ndërsa ata që të kanë votuar janë “Flamingot”? Sipas kësaj logjike, Shqipëria duhet të ndahet në dy pjesë: njëra për “Flamingot” e Rilindjes dhe tjetra për të gjithë ata që kritikojnë qeverinë.

Por Shqipëria nuk është pronë e një partie dhe as e një kryeministri. Shteti nuk funksionon me mikpritje vetëm për ata që japin votën dhe me përbuzje për ata që kanë mendim ndryshe.

Deklarata të tilla tregojnë një mentalitet përçarës, ku qytetarët ndahen në “tanët” dhe “të tjerët”. Një kryeministër nuk duhet të sillet sikur është pronar i shtetit, por si një përfaqësues i përkohshëm i të gjithë shqiptarëve.

Pas 80 vitesh nga periudha kur një parti e vetme pretendonte se përfaqësonte gjithë popullin, shqiptarët nuk kanë nevojë për ndarje të reja dhe etiketime të qytetarëve sipas bindjeve politike.

Dhe pyetja për kryeministrin Rama mbetet: Nëse një ditë qytetarët do të thonin se nuk besojnë te 800 mijë votat dhe do të ngrinin dyshime për mënyrën si janë marrë ato vota, a do ta pranonte të njëjtin standard që përdor ndaj kundërshtarëve të tij?

Shqipëria nuk mbahet duke ndarë shqiptarët në “të vlefshëm” dhe “të pavlefshëm”. Një kryeministër duhet t’i shërbejë çdo qytetari, edhe atyre që nuk e duartrokasin.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top