Nga Redaksia – Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka evidentuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish financiare në Autoritetin Portual Durrës gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga ish-Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Pirro Vengu, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
Sipas raportit të KLSH-së, bëhet fjalë për miliona euro të ardhura të munguara, dëme ekonomike dhe shkelje të procedurave financiare që, sipas auditimit, kanë favorizuar kompani private në dëm të interesit publik.
Një nga çështjet më të rëndësishme të ngritura në raport lidhet me Terminalin e Kontejnerëve, ku sipas KLSH-së, dhënia e tij kompanisë “Mariner Adriatik”, së bashku me blerjen e vinçave me fonde publike dhe vënien e tyre në dispozicion të privatit, ka sjellë një dëm të vlerësuar në rreth 6.8 milionë euro.
Raporti evidenton gjithashtu se tenderët për vinçat, të fituar nga kompania “Hydropower”, janë shoqëruar me pagesa pa faturë tatimore, ndërsa janë konstatuar edhe parregullsi në deklarimin e TVSH-së.
Një tjetër gjetje lidhet me pagesat ndaj kompanive, të cilat, sipas raportit, kanë ofertuar në lekë, por janë paguar në euro, duke sjellë sipas auditimit një dëm ekonomik prej rreth 205 mijë eurosh për shtetin.
Edhe projekti i Porto Romanos përmendet në raport, ku KLSH-ja konstaton se janë dhënë paradhënie në kundërshtim me rregullat dhe nuk janë zbatuar penalitete për vonesat e kontraktorit, me një efekt financiar negativ të konsiderueshëm.
Po ashtu, auditimi ngre shqetësime edhe për përdorimin e një sipërfaqeje prej 17,500 metrash katrorë territor portual nga kompania “REDI” ShPK pa një kontratë të rregullt, duke sjellë, sipas raportit, të ardhura të munguara për Autoritetin Portual.
Përballë këtyre gjetjeve, lind një pyetje që kërkon përgjigje nga institucionet e drejtësisë: A do të hetojë SPAK këto konstatime të KLSH-së?
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

