Nga Redaksia – Vizita e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, në Tiranë dhe takimi i tij me kryeministrin Edi Rama, ka rihapur fuqishëm debatin mbi fatin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas deklaratave diplomatike dhe buzëqeshjeve zyrtare, ish-anëtari i grupit negociator shqiptar, Artur Meçollari, paralajmëron se pas kësaj vizite fshihet një skenar shumë më i rrezikshëm për interesat kombëtare shqiptare.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, Meçollari deklaron se dakordësia Rama-Dendias e 20 tetorit 2020 rrezikon të zhbëjë të gjitha arritjet e negociatave të vitit 2018 dhe ta rikthejë Shqipërinë pranë marrëveshjes famëkeqe të vitit 2009, e rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, çështja nuk është më thjesht juridike, por strategjike dhe gjeopolitike.
“Zgjidhja e kundërshtive në Hagë nuk përbën mëkat, por mënyra se si po tentohet të dërgohet çështja në Gjykatën Ndërkombëtare, do të rezultojë me humbje për Shqipërinë”, deklaron Meçollari.
Ai shpjegon se negociatat e vitit 2018 kishin sjellë disa përfitime të rëndësishme për palën shqiptare, të cilat sot rrezikojnë të humbasin. Një prej tyre ishte njohja nga pala greke e vijës së drejtë bazë të Shqipërisë në Jon, që sipas ekspertit i jepte vendit tonë një efekt prej rreth 40 kilometrash katrorë hapësirë detare më shumë në favor të Shqipërisë.
Por sipas Meçollarit, nëse çështja shkon në Hagë për “të gjithë paketën” dhe jo vetëm për mosdakordësitë, atëherë kjo vijë rrezikon të bjerë.
“I vetmi mekanizëm që Greqia ka sot për të rrëzuar vijën e drejtë bazë të Shqipërisë, është ta çojë atë si mosdakordësi në Hagë”, shprehet ai.
Ish-zëvendëskomandanti i Forcave Detare shqiptare kujton se në negociatat e vitit 2018 pala shqiptare kishte arritur të përfshinte edhe Protokollin e Firences të vitit 1925 si bazë ligjore për kufirin tokësor, një element që sipas tij ka rëndësi strategjike, pasi pika e nisjes së kufirit detar fillon në tokë.
Meçollari paralajmëron se në Gjykatën e Hagës kjo dakordësi mund të humbasë plotësisht, pasi gjykata nuk prodhon tekst marrëveshjeje mes palëve, por vetëm një vijë delimituese.
Një tjetër alarm që ai ngre lidhet me ndikimin dhe influencën greke në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, ndonëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë paraqitet si institucion juridik neutral, realiteti shpesh ndikohet nga balanca e fuqive globale.
“Duhet ta pranojmë se Greqia ka më shumë influencë dhe përfaqësim në këtë gjykatë, fakt në disfavor të Shqipërisë”, thekson Meçollari, duke rikujtuar edhe precedentët historikë si çështja e Kanalit të Korfuzit në vitin 1949.
Ai e konsideron ministrin grek Nikos Dendias si strategun kryesor të kësaj lëvizjeje diplomatike dhe njeriun që ka hartuar qasjen greke për dërgimin e çështjes së detit në Hagë.
“Edhe pse sot është ministër i Mbrojtjes, vizita e tij në Tiranë lidhet drejtpërdrejt me nisjen e negociatave për çështjen e detit”, deklaron ai.
Në fund të analizës së tij, Artur Meçollari jep një mesazh të prerë: rruga më e sigurt për Shqipërinë mbetet rikthimi te negociatat direkte të vitit 2018 dhe jo dorëzimi i plotë i çështjes në një gjykatë ndërkombëtare ku, sipas tij, Shqipëria rrezikon të humbasë jo vetëm territor detar, por edhe avantazhet juridike të fituara me shumë vështirësi gjatë negociatave të mëparshme.
Sipas ekspertit ushtarak, një vendim i Gjykatës së Hagës do të ishte përfundimtar, i detyrueshëm dhe i paapelueshëm, duke vulosur përgjithmonë fatin e kufirit detar shqiptar.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
