Nga Redaksia – Tensionet politike në Spanjë po arrijnë kulmin, ndërsa mijëra qytetarë dolën në rrugët e Madridit për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit socialist Pedro Sánchez, pas një serie skandalesh korrupsioni që kanë përfshirë familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij të afërt.
Protesta masive u zhvillua në zemër të kryeqytetit spanjoll, ku demonstruesit mbanin flamuj kombëtarë kuq e verdhë dhe pankarta me slogane si “Mjaft më!” dhe “Korrupsioni ka çmim – Dorëheqje dhe zgjedhje tani!”.
Marshimi u organizua nga organizata civile “Sociedad Civil Espanola”, e mbështetur nga Partia Popullore konservatore dhe partia nacionaliste e djathtë Vox. Organizatorët pretenduan se në protestë morën pjesë rreth 120 mijë persona, ndërsa autoritetet shtetërore raportuan rreth 40 mijë pjesëmarrës.
Demonstruesit marshuan drejt zonës së Plaza Moncloa, pranë rezidencës zyrtare të kryeministrit Sanchez. Pas përfundimit të protestës, një grup tentoi të afrohej pranë rezidencës, por u ndalua nga policia anti-trazirë. Sipas mediave spanjolle, tre persona u arrestuan dhe shtatë efektivë policie mbetën të plagosur lehtë.
Lideri i Vox-it, Santiago Abascal, akuzoi hapur qeverinë socialiste duke deklaruar se “Spanja po mbahet peng nga një mafi e korruptuar”.
Skandalet që rëndojnë mbi rrethin e Sanchez janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit. Vëllai i tij, David Sanchez, pritet të përballet me gjyq për trafik ndikimi, ndërsa bashkëshortja e kryeministrit, Begona Gomez, është nën hetim për një çështje të veçantë korrupsioni.
Megjithatë, Sanchez i ka cilësuar të gjitha akuzat si sulme politike të organizuara nga e djathta dhe grupet ekstremiste që synojnë destabilizimin e qeverisë së tij.
Në të njëjtën kohë, ish-ministri socialist i Transportit, Jose Luis Abalos, pret vendimin e gjykatës për çështjen e tij të korrupsionit, ndërsa një tjetër goditje për socialistët erdhi këtë javë, kur ish-kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero u vendos nën hetim formal për trafik ndikimi dhe vepra të tjera penale.
Ironikisht, Pedro Sanchez erdhi në pushtet në vitin 2018 pikërisht duke rrëzuar qeverinë konservatore të Partisë Popullore me argumentin e korrupsionit shtetëror. Sot, opozita po përdor të njëjtën armë kundër tij.
Kriza politike në Spanjë po thellohet, ndërsa vendi përballet me polarizim të fortë politik, pakënaqësi popullore dhe akuza të rënda që mund të tronditin themelet e qeverisë socialiste në Madrid.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
