Nga Redaksia – Një zhvillim që mund të ndryshojë tërësisht ekuilibrat gjeopolitikë në Lindjen e Mesme po qarkullon me shpejtësi në mediat ndërkombëtare. Media saudite Al-Arabiya pretendon se ka siguruar draftin përfundimtar të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, një dokument që sipas raportimeve pritet të shpallet publik brenda orëve ose ditëve të ardhshme.
Nëse kjo marrëveshje konfirmohet zyrtarisht, atëherë kemi të bëjmë me një kthesë të madhe strategjike, jo vetëm për rajonin e Gjirit Persik, por edhe për raportet globale të fuqive të mëdha.
Sipas raportimeve, marrëveshja është ndërmjetësuar nga Kina dhe Arabia Saudite, ndërsa Katari dhe Pakistani kanë luajtur rol aktiv në negociata. Vetë fakti që Pekini shfaqet si garantues dhe ndërmjetës i një marrëveshjeje kaq të rëndësishme shihet nga analistët si dëshmi e rritjes së ndikimit kinez në Lindjen e Mesme dhe dobësimit gradual të dominimit tradicional amerikan në rajon.
Deri tani, as Teherani dhe as Uashingtoni nuk kanë reaguar zyrtarisht mbi autenticitetin e draftit të publikuar.

Çfarë parashikon marrëveshja?
Sipas informacionit të publikuar nga Al-Arabiya, marrëveshja përmban disa pika kyçe:
- Armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte në tokë, det dhe ajër.
- Ndalim të sulmeve ndaj infrastrukturës ushtarake, civile dhe ekonomike.
- Ndërprerje të operacioneve ushtarake dhe të luftës propagandistike mediatike.
- Respektim të sovranitetit dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme.
- Garanci për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin e Omanit.
- Krijimin e një mekanizmi të përbashkët monitorimi.
- Fillimin e negociatave të reja brenda shtatë ditëve për çështjet e mbetura pezull.
- Heqje graduale të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
- Riafirmim të respektimit të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.
Marrëveshja pritet të hyjë menjëherë në fuqi sapo të shpallet zyrtarisht nga të dyja palët.
Nëse dokumenti rezulton autentik, atëherë kemi përballë një realitet të ri politik ku fuqitë rajonale dhe Kina po marrin rolin e ndërmjetësit global, ndërsa SHBA duket se po detyrohet të negociojë në kushte krejtësisht të ndryshme nga ato të dekadave të kaluara.
Për shumë analistë, kjo marrëveshje nuk është vetëm çështje armëpushimi mes Uashingtonit dhe Teheranit, por një sinjal i qartë se rendi botëror po ndryshon me shpejtësi.
Në qendër të kësaj lëvizjeje ndodhet kontrolli i energjisë, rrugëve detare dhe ekuilibrave strategjikë të Lindjes së Mesme — rajoni që prej dekadash ka qenë vatër konfliktesh, ndërhyrjesh dhe luftërash të fshehta mes superfuqive.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse SHBA dhe Irani do ta konfirmojnë publikisht këtë marrëveshje apo nëse kemi të bëjmë me një draft presioni diplomatik të nxjerrë qëllimisht në media për të testuar reagimet ndërkombëtare.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
