Nga Redaksia – Në një kohë kur jeta në Gjermani po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme për qytetarët dhe emigrantët, edhe marrja e patentës së shoferit është kthyer në një barrë të rëndë financiare. Qeveria gjermane ka pranuar zyrtarisht se çmimet aktuale janë tepër të larta dhe ka paraqitur një paketë reformash me synimin për të ulur kostot e marrjes së patentës.
Vetëm gjatë katër viteve të fundit, çmimet e patentave në Gjermani janë rritur me plot 52.2%, ndërsa sot një kandidat paguan mesatarisht rreth 3.400 euro për të marrë lejen e drejtimit. Në shumë qytete dhe rajone, shuma është edhe më e lartë, duke e bërë patentën një luks për shumë familje.
Ministri gjerman i Komunikacionit, Patrick Schnieder, deklaroi se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Sipas tij, patenta nuk duhet të jetë privilegj vetëm për ata që kanë para, por një “çelës për liri”, sidomos në zonat ku transporti publik është i dobët dhe qytetarët varen nga automjeti privat.
Çfarë parashikon reforma?
Qeveria gjermane ka propozuar disa ndryshime të rëndësishme që synojnë uljen e kostove dhe përshpejtimin e procesit të marrjes së patentës.
Një nga ndryshimet kryesore është se pjesëmarrja fizike në mësimet teorike nuk do të jetë më e detyrueshme. Mësimet mund të zhvillohen edhe online përmes platformave digjitale, çka pritet të ulë shpenzimet për kandidatët.
Po ashtu, katalogu aktual me 1.169 pyetje teorike do të reduktohet në 840 pyetje, ndërsa sistemi i pikëzimit do të ndryshojë për ta bërë më të lehtë kalimin e testit teorik. Megjithatë, autoritetet theksojnë se për çështjet që lidhen me sigurinë rrugore nuk do të ketë tolerime.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me uljen e numrit të orëve të detyrueshme praktike, si ngasja natën apo në autostradë. Edhe testi praktik do të shkurtohet ndjeshëm: nga 55 minuta në 40 minuta, ndërsa koha reale e drejtimit të automjetit do të zbresë nga 30 në 25 minuta.
Qeveria argumenton se kjo do të mundësojë zhvillimin e më shumë testeve gjatë ditës dhe do të reduktojë kohën e gjatë të pritjes për kandidatët.
Shoferët e rinj mund të stërviten edhe me familjarët
Një nga propozimet më të diskutuara është lejimi i praktikës së drejtimit edhe me persona të afërt, si prindërit apo gjyshërit. Kandidati duhet fillimisht të ketë kaluar testin teorik dhe të ketë kryer të paktën gjashtë orë praktike me instruktor profesional.
Ndërkohë, personi shoqërues duhet të plotësojë disa kritere, përfshirë moshën e përshtatshme dhe mungesën e shumë pikëve të dënimit në sistemin e Flensburgut.
Megjithatë, autoritetet sqarojnë se këto mbeten ende vetëm propozime dhe duhet të miratohen nga Parlamenti gjerman për t’u kthyer në ligj.
Kriza ekonomike po godet edhe Gjermaninë
Rritja drastike e kostove të patentave është një tjetër tregues se edhe ekonomia gjermane po përballet me probleme serioze sociale dhe financiare. Për shumë të rinj, studentë dhe emigrantë shqiptarë në Gjermani, marrja e patentës është kthyer në një sfidë pothuajse të paarritshme.
Qeveria shpreson se me këto reforma do të arrijë të ulë çmimet dhe të lehtësojë aksesin e qytetarëve në një të drejtë që dikur konsiderohej normale, por që sot po kthehet gjithnjë e më shumë në privilegj për shtresat me të ardhura të larta.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
