Nga Redaksia – Ish-oficeri i Marinës shqiptare, Artur Meçollari, prej vitesh ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj mënyrës sesi qeveria shqiptare po trajton çështjen e kufirit detar me Greqinë. Me eksperiencën e tij në fushën ushtarake dhe njohjen e çështjeve detare, Meçollari e ka konsideruar procesin drejt Hagës si një rrezik serioz për interesat kombëtare të Shqipërisë, sidomos nëse negocimi bëhet mbi baza që favorizojnë marrëveshjen e rrëzuar të vitit 2009.
Sipas tij, vizita e ministrit grek Nikos Dendias në Tiranë, vetëm një ditë përpara datës 26 maj, nuk është aspak rastësi diplomatike, por pjesë e një presioni të koordinuar për të finalizuar dërgimin e çështjes së detit në Gjykatën e Hagës.
Ai që realizoi dakordësinë me Kryeministrin Edi Rama më 20 tetor 2020 për ta çuar çështjen në Hagë, rikthehet sërish në Tiranë në një moment kur presioni politik dhe ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare duket se është shtuar ndjeshëm.
Ekspertë shqiptarë të së drejtës detare dhe figura të pavarura i kanë rekomanduar prej kohësh Kryeministrit Rama të mos ndërmarrë këtë hap. Edhe në maj të vitit 2022, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i kërkoi Athinës ndryshimin e dakordësisë së vitit 2020, por kërkesa u refuzua nga pala greke. Po ashtu, kompania këshilluese “Omnis Strategy” e lidhur me ish-kryeministrin britanik Tony Blair, e kontraktuar për miliona euro nga qeveria shqiptare, ka rekomanduar rishikimin e formulës aktuale të marrëveshjes.
Në maj 2022, vetë Dendias deklaroi publikisht se negociatat do të rifillonin sapo Shqipëria të kishte Presidentin e ri. Por prej tre vitesh, Presidenti Bajram Begaj mban në sirtar propozimin e Ministrisë së Jashtme, pa e firmosur dhe pa dhënë shpjegime publike. Tani, sipas burimeve dhe analizës së Meçollarit, ekziston bindja se Rama do të tentojë ta detyrojë firmosjen e tij përpara datës 25 maj 2026.
Takimi me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani apo përfaqësues të tjerë institucionalë, shihet më shumë si formalitet protokollar, ndërsa thelbi i vizitës lidhet me finalizimin e dosjes së detit.
Sipas analizës së Artur Meçollarit, Kryeministri Rama ndodhet në një pozicion “sanduiç” mes presionit grek dhe objektivit politik për integrimin europian. Greqia tashmë e ka futur çështjen e detit si kusht të heshtur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për Ramën, interesi politik për të avancuar drejt BE-së duket se po vendoset mbi integritetin territorial.
Por ajo që e bën edhe më të fortë këtë projekt politik është mbështetja që, sipas kritikëve, Rama gjen tek opozita e drejtuar nga Sali Berisha. Berisha e ka deklaruar prej vitit 2018 se Haga është zgjidhja më e mirë për çështjen e detit. Në këtë mënyrë, një vendim i Gjykatës së Hagës shumë pranë marrëveshjes së vitit 2009 do t’i shërbente Ramës për të konsoliduar pushtetin, ndërsa Berishës për të rehabilituar politikisht marrëveshjen e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në qendër të gjithë kësaj skeme, sipas kritikëve të procesit, qëndron diplomati Ferit Hoxha, ish-kreu i grupit negociator të marrëveshjes së vitit 2009, e cila u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetuese dhe në dëm të interesave të Shqipërisë.
Vizita e Dendias në Tiranë pritet të ndezë edhe më shumë debatin publik mbi fatin e kufirit detar shqiptar dhe pyetjen që po bëhet gjithnjë e më e fortë: A po sakrifikohet sovraniteti kombëtar për interesa politike dhe integrim europian?
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
