Rama shpik një tjetër “AKSH” për të zhdukur gjurmët e aferës të Mirlinda Karçanaj …

Nga Redaksia – Ndërsa hetimet e SPAK po afrohen gjithnjë e më shumë tek zemra e skandalit të madh të tenderave të AKSHI-t, kryeministri Edi Rama ka nxjerrë në skenë një strukturë të re shtetërore, që shumëkush po e sheh si një përpjekje për të shpëtuar sistemin e ngritur prej vitesh rreth miliona eurove të digjitalizimit.

Pas viteve të tëra ku AKSHI u përdor si “arka e zezë” e tenderave teknologjikë, ku sipas hetimeve janë favorizuar kompani të lidhura me pushtetin dhe janë zhdukur miliona euro nga taksat e shqiptarëve, Rama tani shpall krijimin e një “simotre” të AKSHI-t me emrin “Albanian Digital Solutions”.

Në konferencën për shtyp, Rama deklaroi se “AKSHI nuk është më i vetëm”, duke njoftuar se struktura e re do të jetë 100% shtetërore dhe do të marrë në dorë zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale të administratës.

Por pyetja që shtrohet është e thjeshtë: pse duhej krijuar një agjenci e re, kur AKSHI kishte të gjitha kompetencat dhe fondet për këtë punë?

Për kritikët dhe denoncuesit e aferës së AKSHI-t, përgjigjja është e qartë: Rama po tenton të zhdukë gjurmët e skandalit dhe të transferojë përgjegjësitë në një strukturë të re, para se hetimet e SPAK të thellohen edhe më shumë.

Vetëm pak javë më parë, SPAK vendosi nën sekuestro rreth 40 milionë euro pasuri të lidhura me zyrtarë të AKSHI-t dhe biznesmenë që, sipas hetimeve, përfitonin tenderat publikë përmes një skeme të organizuar favorizimesh dhe manipulimesh.

Hetimet kanë zbuluar dyshime se procedurat e tenderimit janë manipuluar për vite me radhë, duke vendosur kritere të paracaktuara për kompani të caktuara dhe duke larguar konkurrencën reale nga gara.

Në qendër të kësaj afere është përmendur shpesh edhe emri i ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, një nga figurat më të mbrojtura të qeverisë Rama, e cila për vite u paraqit si simbol i “shtetit digjital”, ndërkohë që miliona euro qarkullonin në tendera të dyshimtë.

Tani, ndërsa AKSHI ndodhet nën hijen e hetimeve, qeveria ka vendosur të krijojë “Albanian Digital Solutions”, me një kapital fillestar prej 7 milionë eurosh, para të marra nga vetë buxheti i AKSHI-t për vitin 2026.

Pra, në vend që të kërkohet transparencë për fondet e zhdukura dhe përgjegjësi për skandalin që ka tronditur sistemin e teknologjisë shtetërore, Rama zgjedh të ndërtojë një tjetër strukturë paralele, me të njëjtët njerëz, të njëjtat fonde dhe të njëjtin kontroll politik.

Në thelb, kjo duket si një “rilindje” e re e AKSHI-t me emër tjetër.

Ndërkohë, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballen me dështimin e sistemeve online, bllokimet e platformës e-Albania dhe mungesën e shërbimeve bazë, ndërsa miliona euro vazhdojnë të qarkullojnë në emër të “transformimit digjital”.

Krijimi i “Albanian Digital Solutions” nuk duket si reformë, por si tentativa e radhës për të mbijetuar politikisht pas një prej aferave më të rënda korruptive të viteve të fundit.

Dhe sa më shumë që SPAK afrohet tek dosja e AKSHI-t, aq më shumë pushteti duket se po kërkon të ndërrojë emrat, tabelat dhe strukturat, për të shpëtuar sistemin që vetë ndërtoi.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *