Projekti i heshtur i Edi Ramës: Shpopullim, Shpronësim i Shqiptarëve deri në 2033 – dhe Mashtrimi i radhës me “Hapjen e kapitujve të BE-së”…

Nga Redi Minga:

Prej më shumë se një dekade, shqiptarët po e shikojnë me sytë e tyre sesi vendi po boshatiset, pasuritë po shiten dhe ekonomia po shkon drejt kolapsit. Ndërkohë që propaganda qeveritare vazhdon t’i mbushë ekranet me ngjyra të ndezura dhe slogane për “suksese historike”, realiteti i vërtetë është krejt tjetër: Shqipëria po hyn në fazën më të rrezikshme të shpopullimit dhe shpronësimit kombëtar.

Në këtë sfond të zymtë, qeveria ka nxjerrë sot nga sirtari “mashtrimin e radhës”: hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave me Bashkimin Europian.

Një fasadë e bukur përpara kamerave, por një tymnajë për t’i hedhur hi syve një populli që po varfërohet çdo ditë.

Mashtrimi i Radhës: “Dita e Rëndësishme” e Qeverisë për BE-në

Sot është shpalosur si lajm triumfi ajo që qeveria e quan:
“Ditë e rëndësishme për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së – hapet grupkapitulli i fundit i negociatave.”

Në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel, u bë me bujë hapja e të ashtuquajturit grupkapitull i fundit, i cili përfshin pesë fusha:

Bujqësia dhe Zhvillimi Rural (kap. 11)

Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Fitosanitare (kap. 12)

Peshkimi (kap. 13)

Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore (kap. 22)

Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kap. 33)

Propaganda e paraqet këtë si “moment historik”, si mundësinë e rradhës për modernizim, rritje kapacitetesh dhe digjitalizim.
Por askush nuk thotë se këto kapituj hapen për LEXIM, jo për mbyllje. Dhe Shqipëria nuk ka mbyllur ende asnjërin prej 35 kapitujve të BE-së.

Ndryshe nga ç’propagandohet, hapja e kapitujve nuk është integrim. Është thjesht një proces teknik, i cili mund të zgjasë 10, 15 apo edhe 20 vite pa asnjë garanci.

Të thuash se hapja e kapitujve është integrim, është njësoj si të thuash se ke hyrë në universitet vetëm se ke blerë një fletore.

Pse ky lajm u servir sot? Për të mbuluar krizën e qeverisë

Standardi i komunikimit politik të kësaj qeverie është gjithmonë i njëjtë:
sa herë shpërthen një skandal, shpallet një “arritje europiane”.

Dhe rastësisht (apo jo), kjo “ditë historike” vjen pikërisht kur qeveria është përfshirë në akuza të rënda për korrupsion, abuzime financiare, vjedhje projektesh dhe shpërdorime të buxhetit publik.

Nuk është hera e parë.

Sa herë vendi përrplaset nga kriza – sa herë varfëria rritet, bizneset mbyllen dhe spitalet boshatisen – qeveria shfaq nga xhepi një “kapitull”, një “program”, një “premtim europian” që shërben si perde tymi.

Ky është mashtrimi i radhës, i njëjtë me mashtrimet që kanë shoqëruar integrimin për 34 vite.

Në thelb, projekti nuk ndryshon: Shpopullim dhe Shpronësim deri në 2033

Ndërsa kapitujt e BE-së hapen dhe mbyllen në letër, kapitujt e vërtetë që shqiptarët po përjetojnë në jetën e tyre të përditshme janë:

Shpopullimi masiv – çdo vit largohen qindra mijëra shqiptarë.

Shpronësimet strategjike – tokat, bregdeti dhe pasuritë kalojnë në duart e oligarkëve dhe grupeve të huaja.

Varfërimi ekonomik – çmimet rriten, rrogat mbeten të ulëta, ndërsa taksat shtohen.

Kriminalizimi i shtetit – institucionet janë kthyer në instrument të pushtetit, jo të popullit.

Derisa të arrijmë në vitin 2033, kur sipas projeksioneve të dukshme dhe të padeklaruara, Shqipëria rrezikon të zbresë nën 2 milionë banorë rezidentë.

Atëherë, shpronësimi bëhet shumë më i lehtë, sepse territori i boshatisur nuk ka më zë.

Integrimi Europian – Gropa Thithëse e Pretekseve pa fund

Për 34 vite, Shqipëria mbahet pezull me një karrotë që quhet “integrim”.
Në fakt, integrimi është:

  • një mjet presioni,
  • një premtim i pafund,
  • një justifikim për çdo dështim,
  • dhe një alibi perfekte për të mos zhvilluar vendin.

Sa herë rritet korrupsioni, thonë se “duhet pritur hapja e kapitujve”.
Sa herë humbin miliona euro, thonë se “BE kërkon më shumë reforma”.
Sa herë merr tkurrje ekonomike, thonë se “evropianizimi i Shqipërisë kërkon kohë”.

Ndërkohë, realiteti është i thjeshtë: Shqipëria nuk përmbush qëllimisht standardet, sepse mungesa e standardeve lejon kontroll, vjedhje dhe pushtet absolut.

Shqiptarët nuk mund të ushqehen më me propagandë

Nuk ka BE, kapitull apo fotografi në Bruksel që do shpëtojë vendin nëse shqiptarët braktisin vendin, humbin tokën, humbin pasurinë dhe humbin kontrollin mbi fatin e tyre.

“Dita e rëndësishme” që propagandon qeveria është një tjetër fasadë.
E rëndësishme nuk është hapja e kapitujve të BE-së –
e rëndësishme është mbijetesa e kombit shqiptar deri në 2033.

Shqiptarët duhet të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare dhe të kuptojnë se kjo betejë nuk është për parti, por për truall, identitet dhe të ardhme.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *