Nga Redi Minga:
Sali Lyl-Berisha ka rikthyer edhe një herë skenarin e njohur të protestave periodike dhe deklaratave të forta nga selia e Partisë Demokratike. Prej muajsh, opozita e drejtuar prej tij ka ndërtuar një narrativë të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por pa arritur të krijojë një lëvizje të gjerë mbarëpopullore.
Nga thirrjet për protesta, te paralajmërimet për grevë urie, retorika është përshkallëzuar, por rezultati mbetet i njëjtë: grumbullime të kufizuara militantësh dhe jo një revoltë kombëtare.
Së fundmi, Sali Lyl-Berisha deklaroi se deputetët e opozitës janë të gatshëm të ndërmarrin edhe grevë urie nëse nuk hiqet imuniteti i Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin. Në konferencën nga selia blu, ai theksoi se “asnjë formë aksioni nuk përjashtohet”.
Por për shumë qytetarë, kjo duket si një zhvendosje e vëmendjes nga problemet reale të vendit drejt betejave politike selektive, që nuk prekin drejtpërdrejt hallet e përditshme të shqiptarëve.
Në deklaratat e tij, Lyl-Berisha sulmoi edhe procesin e integrimit europian, duke akuzuar qeverinë për mashtrim dhe për përdorim të fondeve të BE-së pa përmbushur kriteret reale të anëtarësimit. Ai hodhi gjithashtu akuza për lidhje të dëmshme me presidentin serb Aleksandar Vučić.
Megjithatë, retorika e ashpër politike nuk është risi në Shqipërinë e 35 viteve të fundit. Ajo që mungon, sipas shumë analistëve, është një platformë konkrete që bashkon qytetarët përtej interesave partiake.
Thirrja e fundit për t’u mbledhur para Parlamentit të enjten shihet nga kritikët si një tjetër akt simbolik, i ngjashëm me episodet e mëparshme, përfshirë protestat e organizuara në rastin e çështjes së Erion Veliaj.
Por historia politike e Shqipërisë ka treguar se qeveritë nuk rrëzohen me grumbullime të pjesshme. Ato rrëzohen vetëm kur revolta është mbarëkombëtare, kur qytetarët e zakonshëm – jo vetëm militantët – ndihen të tradhtuar dhe të papërfaqësuar.
Prej më shumë se tre dekadash, politika shqiptare sillet në të njëjtin rreth vicioz: akuza, protesta, bojkot, rikthim në Parlament, dhe sërish nga e para. Ndërkohë, qytetari mbetet spektator i një përplasjeje të vazhdueshme mes elitave politike.
Nëse vërtet synohet ndryshim, ai nuk vjen nga skenarë të përsëritur apo nga beteja selektive. Ai vjen nga një mobilizim i gjerë, nga një revoltë qytetare që tejkalon interesat personale dhe llogaritë partiake.
Deri atëherë, “telenovela” politike vazhdon – me të njëjtët protagonistë dhe me të njëjtin fund të parashikueshëm.
