Edi Rama heq “Belën”, por vendos njerëzit e saj – Kush po qeveris realisht Shqipërinë?

Nga Redaksia:

Lëvizje të bujshme, shkarkime të papritura dhe emërime që ngrenë më shumë pikëpyetje sesa japin përgjigje. Në mbledhjen maratonë me kabinetin dhe drejtuesit politikë, Edi Rama ka firmosur një seri “meremetime” në qeveri: janë larguar Belinda BallukuElisa SpiropaliPirro Vengu, ndërsa janë lëvizur edhe ministra të tjerë, përfshirë Lamallarin nga Drejtësia.

Por përtej fasadës së shkarkimeve, ajo që bie në sy është një fakt i thjeshtë: vendet e liruara nuk janë zënë nga figura të reja dhe të papërlyera, por nga njerëz të konsideruar si besnikë të Ballukut.

Enea Karaci – Zëvendësim apo vazhdimësi?

Në vend të Ballukut është emëruar Enea Karaci, një emër i lidhur ngushtë me ish-ministren. Karaci ka qenë drejtues i OSHEE-së dhe emri i tij ka dalë në hetime të zhvilluara nga SPAK, ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit i ka sekuestruar pajisje dhe dokumente në kuadër të kontrolleve.

Nëse këto procedura do të përkthehen në akuza konkrete mbetet për t’u parë, por fakti që një emër i tillë ngjitet në krye të një ministrie ngre dyshime serioze për standardin moral të përzgjedhjes.

Ermal Nasufi – Nga ministria e Ballukut në Mbrojtje

Postin e Ministrit të Mbrojtjes, të mbajtur më parë nga Pirro Vengu, e ka marrë Ermal Nasufi – një tjetër figurë e konsideruar si pjesë e rrethit të ngushtë të Ballukut.

Nasufi ka mbajtur poste kyçe në ministrinë që drejtohej nga Balluku dhe përflitet në media për afera të mundshme korruptive, duke u konsideruar gjithashtu “kontigjent” i SPAK. Nëse këto zëra janë të bazuar apo pjesë e luftës së brendshme politike, drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj. Por mesazhi politik është i qartë: largohen emrat, por struktura mbetet.

Feti Hoxha dhe hija e dosjes “AKSHI-DURANA”

Një tjetër emër që ka ngjallur debat është ai i Feti Hoxhës, i emëruar Ministër i Jashtëm në vend të Elisa Spiropalit. Emri i tij përflitet në mënyrë të tërthortë për lidhje familjare me çështje që janë hetuar nga SPAK, përfshirë dosjen e AKSHI-t dhe skemën e parkut të ashtuquajtur “DURANA” në Xhafzotaj.

Në këto fashikuj përmendet kompania “First”, e cila sipas hetimeve dyshohet për përfitime nga tenderë sekretë. Edhe pse përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të transferohet automatikisht, emërime të tilla në kulmin e debateve për korrupsion krijojnë perceptimin e një sfide të hapur ndaj drejtësisë së re.

Shkarkimi i Spiropalit – Kusht politik?

Në korridoret e mazhorancës përflitet se largimi i Elisa Spiropalit nuk ka qenë thjesht një vendim teknik, por një lëvizje e imponuar nga ekuilibrat e brendshëm të pushtetit. Disa zëra brenda socialistëve pretendojnë se ky shkarkim i është vendosur si kusht Ramës nga vetë Balluku.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një realitet të ri politik brenda qeverisë: një qendër e dytë force që dikton vendime në majë të piramidës.

Pas këtyre lëvizjeve të sforcuara, një pyetje ngrihet natyrshëm:

Kush është “de facto” kryeministër i Shqipërisë – Edi Rama apo Belinda Balluku?

Shkarkimet publike mund të krijojnë iluzionin e distancimit, por emërimet tregojnë vazhdimësi. Nëse njerëzit e një ministri të larguar marrin postet kyçe të qeverisë, atëherë largimi është simbolik, jo real.

Drejtësia duhet të flasë me prova dhe vendime, por politika duhet të japë llogari me transparencë. Shqipëria nuk ka nevojë për rotacion emrash, por për ndarje të qartë nga çdo hije korrupsioni.

PatriotikMedia.al do të vijojë të ndjekë me vëmendje çdo zhvillim, sepse qeverisja nuk është pronë e një grupi, por përgjegjësi ndaj një kombi.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *