Nga Redaksia:
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën gjatë takimit me kancelarin gjerman Friedrich Merz se sulmet e fundit kishin në shënjestër një tjetër grup drejtuesish iranianë.
“Sot pati një tjetër goditje ndaj udhëheqjes së re, dhe duket se ishte mjaft e konsiderueshme”, tha ai.
Trump nuk specifikoi se cilët drejtues iranianë ishin në shënjestër apo sa persona u vranë. Sulmet pasuan një breshëri raketash gjatë fundjavës që, sipas zyrtarëve, vrau 49 zyrtarë iranianë, përfshirë Ajatollah Ali Khamenein.
Presidenti amerikan vlerësoi operacionin ushtarak të SHBA-së kundër Iranit, duke deklaruar se kapacitetet kryesore të Teheranit janë shkatërruar.
“Ata nuk kanë marinë. Është rrëzuar. Ata nuk kanë forcë ajrore. Është rrëzuar. Ata nuk kanë zbulim ajror, kjo është rrëzuar. Radari i tyre është rrëzuar. Dhe pothuajse gjithçka është rrëzuar”, tha Trump.
Ai shtoi se SHBA “po ia del shumë mirë” dhe se ushtria amerikane është “e shkëlqyer”, duke kundërshtuar pretendimet se planet e Izraelit për të sulmuar Iranin e detyruan Uashingtonin të veprojë.
“Ata do të sulmonin nëse ne nuk do ta bënim, ata do të sulmonin të parët. Unë e besoja fort këtë”, u shpreh Trump.
Sipas tij, Izraeli ishte gati për të ndërhyrë, por SHBA ndërmori veprim me një ndikim “shumë, shumë të fuqishëm”, duke theksuar se arsenali raketor iranian po pakësohet ndjeshëm.
Merz: “Në të njëjtën linjë për largimin e regjimit”
Nga ana e tij, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se është “në të njëjtën linjë” me presidentin amerikan për sa i përket rrëzimit të regjimit në Teheran.
“Jemi në të njëjtën linjë për sa i përket largimit të këtij regjimi të tmerrshëm në Teheran. Do të flasim për të nesërmen, çfarë do të ndodhë atëherë”, tha Merz, i ulur pranë Trump në Zyrën Ovale.
Ai shtoi se të gjithë shpresojnë që lufta të përfundojë sa më shpejt dhe se ushtritë izraelite dhe amerikane “po bëjnë gjërat e duhura” për të çuar drejt një qeverie të re që do të rikthejë paqen dhe lirinë.
Administrata Trump ka dhënë shpjegime të ndryshme për vendimin për të goditur Iranin, duke përmendur një “kërcënim të afërt” ndaj SHBA-së dhe rrezikun e zhvillimit të armëve bërthamore nga Teherani.
Megjithatë, vetë Trump ka bërë thirrje që populli iranian të marrë kontrollin e vendit, duke lënë të kuptohet se ka në mendje edhe figura pasardhëse, ndonëse zyrtarët e lartë amerikanë kanë deklaruar se operacioni nuk synon ndryshim regjimi.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë përfshiu edhe diskutime mbi një marrëveshje tregtare SHBA-Gjermani, të cilën Merz tha se dëshiron ta miratojë sa më shpejt, si dhe luftën në Ukrainë, e cila mbetet në axhendën e përbashkët të dy liderëve.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, ndërsa deklaratat nga Zyra Ovale sinjalizojnë një fazë të re dhe të rrezikshme të përplasjes me Teheranin, me pasoja të mundshme globale.
