Nga Redaksia:
SPAK ka kërkuar sot zyrtarisht riatdhesimin nga Zvicra të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, një prej figurave më të larta të pushtetit të viteve të fundit dhe njërin prej njerëzve më të afërt me Edi Ramën në periudhën kur u firmosën koncesionet më të kontestuara të Shqipërisë. Kjo kërkesë vjen në një moment ku dyshimet për një lojë më të madhe politike rreth “dosjes inceneratorët” janë më të forta se kurrë.
PROCESI VIJON NË MUNGESË – DHE PIKËPYETJET SHTOHEN
Gjatë seancës së sotme në procesin themelor për dosjen “Buka”, ku SPAK pretendon se është konsumuar një dëm ekonomik prej 7 miliardë lekësh, u njoftua se procedura ndaj Ahmetajt do të vazhdojë në mungesë. Paradoksalisht, avokati i tij, Henrik Ligori, deklaroi se në këtë dosje nuk ka masë sigurie ndaj Ahmetajt. Kjo do të thotë që kërkesa për ekstradim nuk lidhet me “Buka”, por me një procedim tjetër — shumë më të errët dhe politikisht të ngarkuar.
Çfarë po kurdiset?
DOSJA “BUKA”: NGA SHPËRDORIMI I DETYRËS TE OPERACIONI I MADH POLITIK
Sipas SPAK, Arben Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre në periudhën kur ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të qeverisë. Megjithatë, shumë juristë e shohin këtë dosje si një “shtojcë” të asaj kryesore: inceneratorët. Pikërisht në atë mega-skandal që sot po trondit jo vetëm nivelet e ulëta të administratës, por majën e piramidës politike, ku emrat e ministrave, oligarkëve dhe vetë kupolës qeveritare janë të gdhendura në çdo kontratë.
A është Ahmetaj një “kokë turku”?
A është ai personi që duhet të fundoset që të shpëtohen të tjerët?
Apo po tenton dikush ta sjellë me çdo kusht në Shqipëri për të mbyllur gojën, përpara se ai të flasë?
Këto janë pyetje që ende askush nga institucionet nuk guxon t’i japë përgjigje.
SPAK LËVIZ NË HESHTJE – POR HESHTJA PO FLET VETË
Fakti që SPAK nuk ka dhënë detaje për procedimin tjetër përdorur si bazë për ekstradimin, e bën situatën edhe më të dyshimtë. Kërkesa e prokurorit Elvin Gokaj për gjykim në dosjen “Buka” ishte standarde, por ajo që hapi debat ishte natyra e lëvizjes ndaj Ahmetajt.
Kush po e shtyn këtë proces nga prapaskena?
Cilat janë marrëveshjet e heshtura që po piqen midis kupolës së vjetër të pushtetit dhe strukturave të SPAK-ut?
Dhe mbi të gjitha: pse pikërisht tani?
A DO E MBAJË PESHËN ARBEN AHMETAJ, E TË GJITHË KORRUPSIONIT QEVERITAR?
Për shumë analistë, Ahmetaj është vetëm nyja e parë në zinxhirin e gjatë të aferës së inceneratorëve. Por ai është edhe personi që “di shumë”. Zhurma politike që shoqëroi arratisjen e tij, deklaratat e Edi Ramës, heshtja e ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë dhe mungesa e transparencës nga vetë SPAK – të gjitha tregojnë se kjo nuk është thjesht një çështje penale.
Kjo është një luftë mes grupeve të pushtetit.
Dhe në mes të kësaj loje, vihet një ish-zv.kryeministër që sot po e kërkojnë me urgjencë nga Zvicra, ndërsa shumica e personave që firmosën, përfituan dhe urdhëruan projektet kriminale ndaj shtetit shqiptar, vazhdojnë të enden të lirë në Tiranë duke predikuar moral.
POR SOT PYETJA E MADHE QËNDROJË KËTU:
A po kërkon SPAK drejtësi — apo po ekzekuton një porosi politike?
Kjo dosje do të jetë testi i vërtetë i funksionimit të drejtësisë së re. Sepse nëse Ahmetaj kthehet, dhe ai flet, mund të fundoset gjysma e kupolës politike të 10 viteve të fundit.
Por nëse përdoret si fasadë, do të fundoset vetëm ai — ndërsa sistemi i vjetër i korrupsionit do të shpëtojë sërish.
PatriotikMedia.al do të vijojë investigimin.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
