Nga Redaksia – Ndërsa propaganda politike vazhdon të shesë ëndrra për një “Shqipëri si Zvicra”, realiteti tregon një histori krejt tjetër. Krahasimet e bujshme nuk ndërtojnë ekonomi, nuk mbajnë të rinjtë në vend dhe nuk krijojnë zhvillim. Përkundrazi, rrezikojnë të fshehin problemet e vërteta që prej vitesh pengojnë përparimin e vendit.
Zvicra nuk u bë një nga shtetet më të zhvilluara në botë duke shitur bukuritë natyrore. Ajo investoi për dekada në arsim, industri, teknologji, kërkim shkencor dhe infrastrukturë moderne. Sot eksporton produkte farmaceutike, makineri dhe inovacion. Shqipëria, ndërkohë, vazhdon të eksportojë të rinjtë e saj, ndërsa importon propagandë dhe krahasime boshe.
Në këtë debat futet edhe i ashtuquajturi “kthim i trurit”. Ky nuk mund të reduktohet në një slogan apo në promovimin e njerëzve me lidhje politike. Kthimi i trurit nuk janë fëmijët e ish-politikanëve dhe as ata që kalojnë disa vite jashtë vendit vetëm për të siguruar një pasaportë të huaj.
Kthimi i vërtetë i trurit janë studiuesit, inxhinierët, mjekët, profesorët, inovatorët dhe sipërmarrësit që sjellin dije, investime, teknologji dhe aftësi për të ndërtuar institucione e ekonomi moderne.
Por po aq i rëndësishëm është edhe kthimi i kuzhinierit, hidraulikut, elektricistit, mekanikut, bujkut, menaxherit dhe çdo profesionisti që ka fituar aftësi në vendet e zhvilluara. Një ekonomi e fortë ndërtohet mbi punën dhe profesionalizmin e tyre, jo mbi fjalimet politike.
Këta njerëz nuk kërkojnë favore. Nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë një shtet që respekton meritën, garanton konkurrencën e ndershme dhe krijon mundësi që dija dhe puna të shpërblehen.
Pikërisht për këtë arsye Shqipëria ka nevojë për një etapë të re. Ka nevojë për një debat kombëtar ku në qendër të jenë idetë dhe zgjidhjet, jo propaganda. Profesionistët, akademikët dhe njerëzit me përvojë duhet të marrin fjalën dhe të tregojnë jo vetëm çfarë ka dështuar, por edhe si mund të ndërtohet një model i ri zhvillimi.
Nëse politika nuk e hap këtë debat dhe mediat nuk i japin hapësirën që meriton, atëherë shoqëria civile dhe protesta duhet ta bëjnë. Protesta nuk duhet të jetë vetëm vendi ku shprehet zemërimi, por edhe tribuna ku lindin idetë, përballen vizionet dhe ndërtohet e ardhmja.
Sepse Shqipëria nuk do të ndryshojë duke përsëritur sloganin “do të bëhemi si Zvicra”. Shqipëria do të ndryshojë vetëm atëherë kur të vendosë dijen mbi propagandën, meritën mbi klientelizmin dhe punën mbi fasadën.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

