Shqiptar mos u frikësoni – Aktnormativi i Ramës, është një mashtrim juridik që na kujton gjobat e Covid-19: Kryeministri nuk është gjykatë, as Kushtetuta pronë private e qeverisë!
Nga Redaksia – Edi Rama ka zgjedhur një tjetër rrugë për t’iu përgjigjur protestave qytetare: në vend që të përballet me arsyet që i nxjerrin njerëzit në rrugë, shpall gjoba deri në 500 mijë lekë, krijon regjistra të posaçëm për protestuesit dhe kërcënon me kufizimin e lëvizjes jashtë Shqipërisë.
Aktnormativi i miratuar më 28 tetor 2026, së bashku me vendimin për krijimin e regjistrit të posaçëm elektronik, ngre pikëpyetje serioze mbi të drejtat themelore, ndarjen e pushteteve dhe kufijtë e kompetencave të ekzekutivit.
Rama duket se ka harruar një parim themelor të shtetit të së drejtës: kryeministri nuk është gjykatë, policia nuk është gjyqësor dhe pjesëmarrja në një protestë nuk është krim!
Nga gjobat e Covid-19 te gjobat e protestave
Shqiptarët e mbajnë mend shumë mirë periudhën e pandemisë. Qeveria Rama vendosi gjoba ndaj qytetarëve për shkeljen e kufizimeve anti-Covid, duke përdorur masa ndëshkuese dhe duke krijuar një klimë frike.
Por çfarë ndodhi më pas?
Në tetor 2020, vetë qeveria miratoi një akt normativ për faljen e gjobave të vendosura gjatë pandemisë dhe kthimin e shumave të paguara.
Pra, qytetarët u ndëshkuan fillimisht dhe më pas qeveria u detyrua të anulonte masat e veta.
Sot kemi një skenar të ri. Ndryshojnë rrethanat, por logjika e ndëshkimit administrativ ndaj qytetarit rikthehet në qendër të vëmendjes.
A do të përfundojnë edhe këto masa në të njëjtën mënyrë? Kjo është një pyetje që koha dhe institucionet e drejtësisë do të duhet ta japin.
Lista e zezë e protestuesve: A mund të vendosë Rama se kush largohet nga Shqipëria?
Pjesa më shqetësuese e paketës së re është krijimi i një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar në Prokurori ose nën hetim për vepra penale që lidhen me veprime të dhunshme gjatë protestave.
Por vendimi shkon edhe më tej.
Në pikën 5 të vendimit të 28 tetorit, qeveria i jep Policisë Kufitare kompetencën për të refuzuar administrativisht daljen nga Shqipëria të personave që figurojnë në regjistër, edhe kur ndaj tyre nuk është vendosur nga gjykata masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit.
Këtu lind një problem i madh juridik.
Një referim policor në Prokurori nuk është vendim fajësie. Një dyshim nuk është dënim. Një regjistrim në një databazë policore nuk mund të zëvendësojë vendimmarrjen e gjykatës.
Kryeministri nuk mund të krijojë përshtypjen se çdo qytetar që merr pjesë në një protestë dhe identifikohet nga policia mund të trajtohet si person që duhet të izolohet nga lëvizja e lirë.
Liria e lëvizjes është e drejtë e mbrojtur nga Protokolli nr. 4, neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kufizimet lejohen vetëm kur kanë bazë ligjore, ndjekin një qëllim legjitim dhe janë të nevojshme e proporcionale në një shoqëri demokratike.
Nuk mjafton që qeveria të shkruajë një kompetencë në një vendim për ta bërë automatikisht atë të pajtueshme me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane.
Europa nuk funksionon me vullnetin e një kryeministri si Rama
Në shtetet demokratike europiane, e drejta për të protestuar, liria e shprehjes dhe liria e lëvizjes janë të drejta themelore.
Nuk mund të barazohet qytetari që merr pjesë në një protestë paqësore me personin që kryen akte dhune.
Nuk mund të trajtohet një protestë si vepër penale kolektive.
Dhe nuk mund të përdoret një regjistër policor si instrument për të kufizuar automatikisht të drejtat e qytetarëve.
Gjykata nuk është zyrë vartëse e Kryeministrisë
Një nga parimet themelore të demokracisë është ndarja e pushteteve.
Qeveria qeveris, policia zbaton ligjin, prokuroria heton dhe gjykata vendos për çështjet që i takojnë juridiksionit të saj.
Asnjë kryeministër nuk mund të marrë kompetencat e të gjitha këtyre institucioneve në duart e veta.
Në fakt, edhe ekspertë juridikë kanë ngritur kundërshtime për mekanizmin e ri të kufizimit të daljes nga vendi, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e një referimi policor si bazë për refuzimin e lëvizjes së qytetarëve.
Kjo çështje kërkon shqyrtim serioz kushtetues dhe gjyqësor.
Qytetarët nuk mund të frikësohen me akte normative
Protesta është një instrument demokratik përmes të cilit qytetarët kërkojnë llogari nga pushteti.
Qeveria ka detyrimin të garantojë rendin dhe sigurinë, por edhe të mbrojë të drejtën e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Kur ndaj një proteste përgjigjja e parë bëhet kërcënimi me gjoba, regjistra dhe kufizime të lëvizjes, atëherë lind një debat serioz për mënyrën se si pushteti e kupton demokracinë.
Rama duhet të kuptojë se Shqipëria nuk është pronë private e Kryeministrisë. Qytetarët nuk janë vartës të pushtetit dhe Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas nevojave politike të ditës.
Historia e gjobave të Covid-19 është një precedent që nuk duhet harruar. Qeveria që dje i vendosi dhe më pas i fali ato gjoba, sot duhet të japë llogari për ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e masave të reja.
Sepse një gjë duhet të jetë e qartë: kryeministri mund të propozojë ligje dhe akte normative, por nuk mund të marrë vendin e gjykatës.
© Copyright of PatriotikMedia.al


