Nga sheshi i protestës drejt organizimit qytetar: kërkohet bashkim, transparencë dhe një përfaqësi e dalë nga vetë qytetarët
Nga Redaksia – Pas disa javësh protestash kombëtare, një grup pune i dalë nga radhët e protestuesve ka bërë publike nismën për krijimin e “Kuvendit Kombëtar Qytetar”, si një strukturë që synon të përfaqësojë kërkesat dhe vullnetin e qytetarëve të mbledhur në shesh.
Në deklaratën e tyre, organizatorët u drejtohen shqiptarëve duke theksuar se protesta e nisur më 31 maj është një reagim kundër asaj që ata e cilësojnë si “copëtim dhe shitje të Atdheut”, kundër mungesës së llogaridhënies së pushtetit, korrupsionit politik dhe problemeve të thella sociale e ekonomike.
Sipas tyre, qytetarët kërkojnë një Shqipëri ku demokracia të zëvendësojë atë që e konsiderojnë autokraci, ku ekonomia e tregut të mos kontrollohet nga oligarkitë, ku prona e qytetarëve të jetë e garantuar dhe ku shteti i së drejtës të jetë mbi interesat politike.
“Ne, populli shqiptar, kërkojmë demokraci në vend të autokracisë, ekonomi tregu në vend të oligarkisë, pronë të certifikuar për shqiptarin në vend të rrëmujës e zaptimit dhe shtet të së drejtës në vend të krimit me pushtet politik”, thuhet në deklaratë.
Në mesazhin e tyre, grupi i punës shprehet se protesta ka hyrë në një fazë ku përveç qëndresës në shesh kërkohet edhe organizim afatgjatë. Sipas tyre, qytetarët kanë nevojë për një përfaqësi të gjerë, të pakorruptueshme dhe të dalë nga vullneti i drejtpërdrejtë i protestës.
“Kjo kohë ka ardhur edhe tani”, thuhet në deklaratë, duke bërë thirrje për krijimin e një strukture që do të mund të mbledhë dhe artikulojë kërkesat e qytetarëve edhe përtej protestave.
Sipas nismëtarëve, Kuvendi Kombëtar Qytetar nuk do të jetë një strukturë e imponuar nga jashtë, por një organ që do të dalë nga vetë trupa e protestuesve dhe do të miratohet paraprakisht në mënyrë të qartë dhe të verifikueshme nga qytetarët pjesëmarrës.
“Përballja kërkon bashkim, strategji, vendosmëri dhe organizim”, theksojnë ata, duke shtuar se çdo qytetar që ka qenë pjesë e protestës dhe që mbështet parimet e shpallura nga kjo lëvizje, do të ketë mundësi të jetë pjesë e përfaqësimit.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se kjo nismë synon të jetë gjithëpërfshirëse dhe se vendimet e saj do të lidhen vetëm me vullnetin e protestës qytetare.
“Me transparencën maksimale, Kuvendi Kombëtar Qytetar do t’i përkasë vetëm protestës dhe asnjë vendim apo veprim nuk do të merret jashtë vullnetit të kësaj proteste popullore kombëtare”, thuhet në fund të deklaratës.
Nisma mbyllet me moton: “Të betuar mbi flamur”, ndërsa grupi i punës fton qytetarët që të marrin pjesë në një proces të ri organizimi politik dhe qytetar, duke e paraqitur këtë si një përpjekje për të ndërtuar një zë të përbashkët jashtë strukturave tradicionale politike.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

