Nga Redaksia – Mes mijëra zërave qytetarë, flamujve kuqezi dhe një proteste të shtrirë në kohë, një figurë e thjeshtë është kthyer në simbol të qëndresës: “Djali i Flamurit”.
Sipas avokatit Altin Goxhaj, “Djali i Flamurit” është simboli i çdo “protestuesi të panjohur”, njësoj si figurat e “ushtarëve të panjohur” që përfaqësojnë sakrificën e atyre që nuk kanë kërkuar emër apo lavdi, por kanë zgjedhur të jenë pjesë e një kauze më të madhe.

Ai përfaqëson qytetarin e zakonshëm që, pas një dite të lodhshme pune si transportues uji, nuk zgjedh rehatinë, por çdo pasdite del në shesh për t’i dhënë protestës shpirtin patriotik, energjinë dhe durimin për të vazhduar përballjen me kohën.
Sipas Goxhajt, kjo figurë mishëron një brez qytetarësh që kanë vendosur të mos dorëzohen dhe të qëndrojnë në këmbë deri në “betejën finale” për atë që ata e konsiderojnë si çlirimin e Shqipërisë nga padrejtësitë dhe keqqeverisja.
Por simbolika e protestës, sipas tij, nuk ndalet vetëm tek të rriturit. Një rol të veçantë kanë pasur edhe fëmijët e protestës, të cilët me praninë e tyre kanë sfiduar frikën dhe kanë afruar prindërit drejt një pjesëmarrjeje më të madhe qytetare. Ata janë bërë pjesë e një imazhi të një proteste paqësore, ku familjet kanë dalë së bashku për të shprehur zërin e tyre.
Avokati Goxhaj propozon që kjo figurë të mos mbetet vetëm një kujtim fotografik, por të kthehet në një monument simbolik. Sipas idesë së tij, një skulpturë e “Djalit të Flamurit” mund të vendosej në hapësirën ku dikur ka qenë “Kërpudha”, si një kujtesë për çdo kryeministër që do të vijë, por edhe për çdo qytetar, se fuqia e vërtetë qëndron tek populli.
Një simbol i tillë do të lidhej edhe me kujtesën kombëtare të monumenteve që nderojnë sakrificën e njerëzve të panjohur, duke sjellë në vëmendje edhe monumentin e Luftëtarit të Panjohur për Pavarësi në Korçë.

“Djali i Flamurit” kështu shndërrohet në figurën e qytetarit anonim që mban mbi supe peshën e një beteje, por njëkohësisht ruan shpresën se zëri i njerëzve të zakonshëm mund të bëhet një forcë e madhe shoqërore.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

