Nga Pastori Akil Pano
Gjuha është më shumë se mjet komunikimi. Ajo është portreti i shpirtit, pasqyra e brendshme e njeriut, ajo që zbulon jo vetëm çfarë dimë, por mbi të gjitha – kush jemi.
Ajo vizaton në mënyrë të pavetëdijshme portretin e të varfrit dhe të pasurit, të kujdesshmit që peshon fjalët dhe të shkujdesurit që shpërndan pa menduar. Ajo shfaq me ngjyra të gjalla kujdesin, edukatën, pasurinë shpirtërore apo varfërinë e thellë të brendshme të njeriut.
Këtë e ka thënë me mjeshtëri edhe Martin Heidegger:
“Gjuha është shtëpia e qenies. Në shtëpinë e saj banon njeriu. Ata që mendojnë dhe krijojnë me fjalë janë rojtarët e kësaj shtëpie.”
Po, gjuha është ndërtuese dhe shkatërruese njëherësh. Me anë të saj përshkruajmë botën, krijojmë vizione, shërbejmë apo helmojmë. Harrojmë se ndërsa flasim, gjuha na pikturon – na zbulon të vërtetën tonë. Gjuha shpërfaq çfarë lloj njeriu jemi, sepse ajo është dritarja e shpirtit.
Para se të flasim, duhet të mendojmë. Por më mirë se kaq – duhet të ndërtojmë njeriun e brendshëm. Nëse brenda “shtëpisë së qenies” banon një shpirt i rrënuar, herët a vonë do të shpërthejnë simptomat përmes fjalëve – me acarim, arrogancë, helm dhe ligësi.
Zgjidhja është një dhe e vetme: mjekoni njeriun e brendshëm. Ushqejeni me të vërtetën e Perëndisë. Jetoni në paqe me Krijuesin tuaj. Vetëm atëherë fjalët që do të dilnin nga goja juaj do të ishin huaj mjalti për familjen dhe njerëzit që Zoti ka vënë pranë jush.
Bibla e shpreh qartë në Letrën e Jakobit:
“Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur… Gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç’pyll të madh djeg!… Askush nga njerëzit s’mund ta zbusë; është plot me helm vdekjeprurës. Me të ne bekojmë Perëndinë dhe me të mallkojmë njerëzit. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Nuk duhet të jetë kështu, vëllezër!”
(Jakobi 3:2-13)
Gjuha, megjithëse një pjesë e vogël, është timoni që drejton anijen e jetës sonë. Ajo ndikon çdo marrëdhënie, çdo vendimmarrje, çdo akt shoqëror. Nëse gjuha është nën fre, i gjithë trupi është nën kontroll.
Kjo është arsyeja pse shoqëria shqiptare – në politikë, në media, në rrjete sociale, në familje – ka nevojë për një ringjallje morale dhe shpirtërore që fillon pikërisht nga ajo që flasim. Gjuha jonë është arma jonë. Është bekimi ynë ose mallkimi ynë. Në të shprehet karakteri ynë, thelbi ynë kombëtar, forca ose dobësia e ndërgjegjes sonë.
Mos harroni: burimi nuk mund të japë ujë të ëmbël e të kripur njëkohësisht. O jemi dritë, o jemi errësirë. O ndërtojmë, o shkatërrojmë.
Prandaj, në këtë kohë kur vendi ynë ka nevojë për zëra të kthjellët dhe shpirtërisht të ndriçuar, le të kujtojmë: kush zotëron gjuhën, sundon jetën e vet – dhe ndihmon në shërimin e kombit.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.